Lenny Rush ishte ende adoleshent kur fitoi një BAFTA, ndërsa tani po merr rolin kryesor në “The Reluctant Vampire”, një sitcom i pazakontë dhe i errët, i përshtatur nga ekipi i skenaristëve pas “Alan Partridge”.
Në qendër të serialit është Val, një vampir i ri që nuk është aspak i aftë të jetë vampir.
Vetëm kur pyetet vazhdimisht, Rush pranon se roli është shkruar posaçërisht për të.
“Shane Allen, producenti ekzekutiv, i adhuronte librat kur ishte i vogël dhe kishte punuar edhe në ‘Am I Being Unreasonable?’. Kështu që po, skenarët u shkruan duke më pasur mua në mendje”, thotë ai.

“Jam shumë i lumtur që dolën kaq mirë. Do të ndihesha tmerrësisht nëse do të më thoshin ‘e kemi shkruar këtë për ty’ dhe pastaj…”, shton ai, duke e lënë fjalinë përgjysmë me një mimikë plot humor.
Rush e krahason serialin me komeditë klasike “The Naked Gun” dhe “Airplane!”, ndërsa fakti që pas tij qëndron ekipi krijues i “Alan Partridge” ndihet në çdo skenë të sikletshme dhe absurde.
Por “The Reluctant Vampire” shkon edhe më tej, duke u mbështetur në një traditë tipike britanike të humorit surreal: njerëz që flasin me lakuriqë nate dhe garguj, gra të padukshme që ndërhyjnë papritur dhe situata krejtësisht absurde që interpretohen me seriozitet maksimal.
“Sipas mendimit tim, ndonjëherë një serial etiketohet si ‘familjar’, por në të vërtetë është bërë kryesisht për fëmijë”, thotë Rush.
“Me ‘The Reluctant Vampire’ vërtet kam ndjesinë se është për të gjithë.”
Një vampir që në fakt nuk është vampir
“The Reluctant Vampire” u shkrua fillimisht në vitet ’80 nga legjenda britanike e komedisë Eric Morecambe, në një kthesë të pazakontë drejt letërsisë për fëmijë.

Historia ndjek një djalë të ri nga një familje vampirësh, i cili nuk ka asnjë nga aftësitë që priten prej tij.
Dhëmbët e tij nuk janë të mprehtë, e urren shijen e gjakut dhe, më keq akoma, rezulton se nuk është vampir fare, por një njeri.
Në duart e Neil dhe Rob Gibbons, historia është shndërruar në një përzierje të humorit fizik britanik dhe momenteve të vërteta emocionale.
“Ke Tom Davis duke luajtur një vampir, një personazh të madh, me lëvizje të mëdha dhe me atë zërin e fuqishëm. Kjo patjetër që tërheq një publik më të ri”, thotë Rush.
“Por replikat janë vërtet qesharake.”
Seriali hapet me Davis të veshur plotësisht si vampir, gati për të sulmuar një viktimë të moshuar në shtrat.
Gjithçka prishet kur Rush futet me nxitim në dhomë dhe deklaron se duhet të shkojë në tualet.
Nga televizioni për fëmijë te BAFTA
Edhe pse vetëm 17 vjeç, Lenny Rush ka vite që është pjesë e ekranit.
Ai u shfaq për herë të parë në televizion në moshën shtatëvjeçare, në serialin dokumentar të CBeebies “Our Family”.
Një vit më vonë, luajti Eli-n në “Apple Tree House”, gjithashtu në CBeebies.
Por roli që ndryshoi gjithçka ishte Ollie në “Am I Being Unreasonable?”.
Në moshën vetëm 14-vjeçare, Rush fitoi BAFTA-n për interpretimin më të mirë mashkullor në një komedi, ndërsa këtë vit u nominua sërish për të njëjtin çmim.
Roli i Ollie-t dhe fjalimi i tij plot humor në ceremoninë e BAFTA-ve e kthyen në një nga aktorët e rinj më të dallueshëm të komedisë britanike.
Te interpretimi i tij si Val mund të shihen qartë ndikimet nga “Mr Bean”, “Alan Partridge” dhe “Monty Python”.
“Ndoshta kam parë disa gjëra që nuk duhej t’i shikoja kur isha më i vogël”, thotë ai me humor.
Një nga frymëzimet e tij më të mëdha ka qenë gjithmonë David Brent nga versioni britanik i “The Office”.
Rush e sheh personazhin e Ricky Gervais me më shumë dhembshuri sesa mund të pritej.
“Në fillim mendon: ‘Çfarë idioti’. Pastaj mendon: ‘Nuk është as njeri shumë i mirë’. Por kur arrin në fundin e sezonit të dytë, fillon të ndiesh keqardhje për të.”
“Ai është thjesht një njeri që po përpiqet të gjejë vendin e tij. Thjesht dëshiron të jetë pjesë e grupit. Në fakt, është tragjike.”
Kur roli prek edhe jetën reale
Episodi i parë i “The Reluctant Vampire” bën disa shaka rreth shtatlartësisë së Val-it, ndërsa prindërit e matin dhe pyesin veten nëse ai do të bëhet ndonjëherë mjaftueshëm i gjatë për të qenë vampir.
Rush ka një formë të nanizmit të njohur si displazi spondiloepifizare kongjenitale.
Por ai thotë se nuk ka hyrë kurrë në aktrim me synimin që gjendja e tij fizike të bëhej pjesë kryesore e identitetit të tij publik.
“Nuk kam menduar kurrë se mund të bëhesha frymëzim për persona me aftësi të kufizuara ose për të rinjtë.”
Megjithatë, pas suksesit të “Am I Being Unreasonable?”, nisi të merrte mesazhe nga prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Nënat më shkruanin: ‘Djali im ka një aftësi të kufizuar ose një formë nanizmi dhe aktualisht po kalon vështirësi në shkollë. Por të sheh ty në televizion dhe kjo po i jep vetëbesim’.”
“Është e pabesueshme që mund të bëj atë që dua dhe njëkohësisht t’i bëj njerëzit të ndihen kështu. Jam shumë i lumtur që njerëzit e kanë parë në atë mënyrë.”
Një metaforë për të mos u ndier pjesë e grupit
Për Rush, historia e vampirit që nuk arrin të jetë vampir është në thelb një metaforë universale për adoleshencën dhe dëshirën për t’u pranuar.
“Të shkosh në shkollë, të përpiqesh të përshtatesh, të përpiqesh të impresionosh të tjerët dhe të dështosh keq. Mendoj se kjo është arsyeja pse personazhi është kaq i afërt.”
“Edhe pse flasim për vampirë, mund ta shohësh si historinë e dikujt që përpiqet të gjejë vendin e vet në shoqëri: ‘A po e bëj siç duhet? A jam mjaftueshëm i mirë?’”
Megjithatë, ai vetë thotë se përvoja e tij në shkollë ishte disi ndryshe.
Pavarësisht karrierës së hershme, prindërit e tij këmbëngulnin që ai të vazhdonte shkollën dhe të ruante marrëdhëniet me miqtë.
“Nëna ime e merrte shkollën shumë seriozisht. Jo domosdoshmërisht vetëm për arsimin, por sepse mendonte se ishte shumë e rëndësishme të shihja shokët.”
“Kështu që unë mund të isha duke luajtur PlayStation dhe t’u thosha: ‘Po punoj me Gary Oldman’, dhe ata as nuk ngrinin kokën nga loja.”
Sipas tij, kjo normalitet ishte shumë e rëndësishme.
“Në xhirime mund të të marrë rrjedha shumë lehtë. Ke asistentë regjisorësh që hyjnë në dhomën tënde dhe të pyesin çfarë do për drekë. Është paksa e çmendur. Duhet të kesh njerëzit e duhur pranë vetes.”
Nga “Doctor Who” te “Slow Horses”
Pas “Am I Being Unreasonable?”, Rush mori pjesë edhe në dy episode të “Doctor Who”.
Megjithatë, ai pranon se nuk kishte qenë ndonjë fans i madh i serialit.
“Nuk ia kam thënë Russell T Davies-it këtë, por nuk e shikoja ‘Doctor Who’”, rrëfen ai.
“E dija çfarë ishte! E dija se ishte nder të më ftonin. E dija se ishte një moment i rëndësishëm në karrierë, sidomos kur të marrin në një moshë të re.”
Në serial interpretoi Morris Gibbons, një gjeni 13-vjeçar dhe këshilltar në njësinë shkencore.
Sot ai shfaqet edhe në “Slow Horses”, ku luan një të ri shumë më të pjekur se mosha e tij, me mendje të mprehtë dhe gjuhë po aq të mprehtë.
Për Rush, kjo është e rëndësishme sepse ai nuk dëshiron të kufizohet vetëm te komedia.
“Pas Ollie-t, fillova ta shihja veten si aktor. Por në internet njerëzit thoshin gjithmonë ‘është aktor shumë i mirë komik’ ose ‘është një komedian i ri shumë i mirë’.”
“Jam shumë mirënjohës për këtë, por kurrë nuk e kam parë veten vetëm si komedian apo aktor komik.”
“E dua komedinë, por nuk dua që ajo të bëhet e vetmja gjë me të cilën lidhem.”
Roli i ardhshëm: Dobby në “Harry Potter”
Roli i tij i ardhshëm është Dobby në serialin e ri televiziv “Harry Potter”.
Projekti ka qenë i shoqëruar nga debate dhe polemika të shumta, por Rush nuk dëshiron të tregojë shumë.
“Nuk kam filluar ende dhe patjetër që nuk kam marrë kërcënime me vdekje”, thotë ai.
Për vetë rolin, shton vetëm:
“Është e pabesueshme. Ndihem jashtëzakonisht me fat. Është çmenduri.”
Dobby është një personazh krejt ndryshe nga rolet që Rush ka luajtur deri tani.
Ai nuk është manipulues apo i sigurt në vete, por emocional, mirënjohës dhe vazhdimisht i shqetësuar për të ndihmuar të tjerët.
Në këtë kuptim, Val mund të jetë një urë interesante drejt një lloji tjetër interpretimi.
Një kast që funksionon si ekip
“The Reluctant Vampire” mbështetet shumë edhe te kimia mes aktorëve.
Krahas Rush, në serial luajnë Sian Clifford si nëna e tij, Tom Davis si babai, Asim Chaudhry në një rol të ngjashëm me Lurch-in dhe Gabriel Nagy si vëllai i Val-it, një vampir që, ndryshe nga ai, është plotësisht funksional dhe lig.
Rush thotë se, pavarësisht se ishte protagonist, nuk e ndiente veten si personin që duhej të drejtonte gjithë grupin.
“Kurrë nuk kam ndier se të tjerët po mësonin nga unë. Unë ndihesha sikur po mësoja prej tyre.”
Ai kujton një këshillë të thjeshtë, por shumë efektive, nga Tom Davis.
“Nëse po bën komedi, qëllimi është t’i bësh njerëzit në shtëpi të qeshin. Prandaj, në skenë, provo ta bësh partnerin tënd të qeshë. Provo ta bësh të dalë nga karakteri.”
Natyrisht, kasti është profesionist dhe kjo nuk ndodh shpesh.
Por ashtu si në shumë prej komedive klasike televizive, ndjesia se aktorët po argëtohen së bashku është gjithmonë aty. /GazetaExpress/
“The Reluctant Vampire” transmetohet në BBC One të dielën, më 4 tetor, në orën 18:40.
