**Haxhiu konsideron apelim në Gjykatën Kushtetuese për mandatin nëse vendi mbetet pa president**
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, theksoi rëndësinë e vazhdimit të takimeve ndërmjet partive politike për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ajo paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e mandatit të saj, nëse vendi mbetet pa president pas datës 6 tetor.
Haxhiu rikujtoi se kanë mbetur pak ditë deri në skadimin e afatit për zgjedhjen e presidentit. Ajo theksoi se, pas vendimit të 16 shtatorit lidhur me ish-krerët e UÇK-së, nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme “me vetëdije të plotë”.
“Është shumë e rëndësishme që takimet ndërmjet partive politike, me qëllim të arritjes së konsensusit për çështjen e presidentit, të vazhdojnë. Kemi shumë pak ditë para vetes, deri më 6 tetor, prandaj është thelbësore të ketë takime që çojnë drejt një konsensusi. Në rrethanat aktuale, mendoj se është prioritet të dëshmohet vullnet dhe jo mungesë vullneti apo tendencë për zvarritje, apo për ta çuar vendin sërish në zgjedhje të parakohshme, veçanërisht pas vendimit të 16 shtatorit. Nuk ka asnjë kuptim e asnjë arsye ta çojmë vendin me vetëdije në zgjedhje,” tha Haxhiu. Ajo ftoi partitë politike të vazhdojnë këto takime, duke shpresuar “që nga këto takime të dalim me një konsensus për çështjen e presidentit”.
Lidhur me mandatin e saj, Haxhiu po konsideron t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Ajo shprehu mendimin se kjo Gjykatë, sipas saj, “e ka marrë rolin e shkrimit të Kushtetutës dhe po krijon nene që nuk ekzistojnë në të”, prandaj duhet të trajtojë edhe çështjen e mandatit të saj nëse vendi mbetet pa president pas 6 tetorit, raporton KosovaPress.
Haxhiu sqaroi se “Kushtetuta nuk flet qartë për këtë çështje, përveç që mandati i ushtruesit të detyrës nuk mund të kalojë gjashtë muaj. Ka pasur interpretime të ndryshme, përfshirë parimin e vazhdimësisë institucionale.” Ajo shtoi se kishte pritur që Gjykata Kushtetuese ta trajtonte këtë aspekt në aktgjykimin e fundit, por kjo nuk ndodhi. “Jam duke e shqyrtuar t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, megjithatë nuk kam vendosur ende,” tha Haxhiu. Ajo pret një sugjerim nga ekipi i saj dhe shpreson “të mos vijmë në situata që të mos kemi ushtrues detyre edhe pas 6 tetorit” dhe që “të kemi president me mandat 5-vjeçar.”
Duhet theksuar se, nëse presidenti i ri nuk zgjidhet deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, të cilat do të ishin të tretat me radhë brenda më pak se një viti.
