Është ora 15:00 e së dielës dhe papritur fillon ai ankthi i njohur.

Mendja shkon te email-et, detyrat që ju presin dhe java e re e punës. Në atë moment, mund të kapni veten duke dëshiruar vetëm edhe një ditë pushim para se të riktheheni në zyrë.

Sipas trajneres dhe ekspertes së marrëdhënieve në punë, Hannah Salton, është krejt normale të ndiheni pak të mërzitur kur fundjava po mbaron.

“Por nëse mendoni vazhdimisht për punën, shqetësoheni në mënyrë obsesive për javën që vjen dhe kjo ndodh rregullisht, atëherë nuk është diçka e shëndetshme”, shpjegon ajo.

Sipas saj, rëndësi ka të kuptoni nëse bëhet fjalë vetëm për një ndjesi kalimtare pas një fundjave të mirë apo për një sinjal se puna juaj nuk po ju bën më mirë.

Ja gjashtë shenja që mund të tregojnë se ankthi i së dielës po përpiqet t’ju thotë diçka më serioze.

1. Ankthi po ju shkakton simptoma mendore dhe fizike

Është normale të ndiheni pa energji ose të lodhur të dielën, veçanërisht pas një fundjave të ngarkuar.

Por ka dallim mes lodhjes dhe një gjendjeje ankthi që fillon të dalë jashtë kontrollit.

Salton thotë se secili duhet ta vlerësojë vetë se deri në çfarë mase është normale ndjesia e pakënaqësisë para rikthimit në punë.

Megjithatë, nëse mendja juaj rrotullohet vazhdimisht rreth të njëjtave shqetësime, imagjinoni skenarët më të këqij ose nuk arrini të shkëputeni nga puna, kjo mund të jetë shenjë paralajmëruese.

Ankthi i fortë mund të shfaqet edhe fizikisht.

“Shqetësimi i tepërt dhe mendimet e vazhdueshme mund të shoqërohen me dhimbje koke nga tensioni, të përziera apo edhe të vjella”, paralajmëron ajo.

2. Ankthi po ju pushton të gjithë fundjavën

Kur frika nga puna bëhet kronike, ajo nuk kufizohet më vetëm në mbrëmjen e së dielës.

“Nëse filloni ta keni frikë të hënën që të shtunën në mbrëmje, me kalimin e kohës kjo ndjenjë mund të fillojë edhe më herët dhe t’ju prishë gjithë fundjavën”, thotë Salton.

Kjo mund të ndikojë edhe në gjumë, humor dhe marrëdhëniet me njerëzit që ju rrethojnë.

Mund të bëheni më nervozë, më të mbyllur ose më pak të durueshëm me partnerin, familjen apo miqtë.

3. Ankthi vazhdon edhe pas së martës

Për shumë njerëz, ankthi i së dielës lidhet më shumë me pritjen e rikthimit në punë sesa me vetë punën.

Pasi fillon java dhe rikthehen në rutinë, ndjesia zakonisht zbehet.

Por nëse ankthi vazhdon gjatë gjithë javës dhe nuk kufizohet vetëm në ditën e parë ose të dytë të punës, kjo mund të jetë një shenjë se problemi është më i thellë.

“Nëse kjo ndjenjë vazhdon gjatë gjithë javës, mund të jetë koha të mendoni seriozisht nëse duhet të largoheni nga puna”, thotë Salton.

4. Po mbështeteni te zakone jo të shëndetshme për ta përballuar

Disa shenja mund të shfaqen edhe në sjelljen tuaj të përditshme.

Mes tyre mund të jenë kontrollimi obsesiv i email-it të punës të dielën në mbrëmje pa qenë nevoja, konsumimi më i madh i alkoolit, tërheqja nga partneri ose familja dhe kalimi i orëve duke lëvizur pa fund në rrjetet sociale vetëm për të shpërqendruar mendjen.

Është e lehtë t’i justifikoni këto sjellje me mendimin “kështu relaksohem unë”.

Por Salton paralajmëron se, ndërsa një rast i vetëm mund të mos ketë rëndësi, përsëritja e disa prej këtyre sjelljeve mund të tregojë një model problematik.

5. Edhe ndryshimi i kolegëve nuk do ta zgjidhte problemin

Për të kuptuar nëse problemi është ambienti i punës apo vetë profesioni, Salton sugjeron një pyetje të thjeshtë:

A do të ndiheshit më mirë nëse do të bënit saktësisht të njëjtën punë, por me një ekip apo kompani tjetër?

Shpesh ankthi nuk vjen nga puna në vetvete, por nga marrëdhëniet e vështira në vendin e punës.

Problemi mund të jetë një koleg, një menaxher apo edhe dikush që menaxhoni ju.

Nëse shkaku janë njerëzit, largimi nga puna nuk është domosdoshmërisht zgjidhja e parë.

“Mund të ndihmojë një bisedë e sinqertë me menaxherin ose me departamentin e burimeve njerëzore”, thotë Salton.

Por nëse problemi është vetë roli, natyra e punës apo mënyra si e kaloni pjesën më të madhe të ditës, mund të jetë koha të shqyrtoni alternativa të tjera.

6. Nuk arrini të imagjinoni një të ardhme pozitive në atë vend pune

Nëse doni të kuptoni më mirë situatën tuaj, provoni t’i bëni vetes disa pyetje të drejtpërdrejta:

Çfarë konkretisht po më frikëson tani?

Është një person, një detyrë e caktuar apo e gjithë puna?

A është përkeqësuar kjo ndjenjë gjatë gjashtë muajve të fundit apo ka qenë gjithmonë kështu?

Si ndihem kur imagjinoj se edhe pas një viti do të jem ende këtu?

Salton këshillon që përgjigjet t’i shkruani, pasi kjo mund t’ju ndihmojë ta shihni situatën më qartë.

Nëse pothuajse të gjitha përgjigjet tregojnë drejt një problemi që nuk mund të ndryshohet, atëherë mund të jetë koha të shikoni mundësi të tjera pune.

Çfarë të bëni nëse vendosni të largoheni

Edhe kur e kuptoni se puna aktuale nuk është më për ju, ndryshimi mund të jetë i vështirë.

Salton këshillon që fillimisht t’i jepni vetes leje të kërkoni mundësi të tjera pa u ndier në faj.

“Vetëm fakti që e dini se ekziston një rrugëdalje mund ta ulë ankthin, sepse e kuptoni se kjo situatë nuk do të zgjasë përgjithmonë”, shpjegon ajo.

Ajo rekomandon gjithashtu të flisni me njerëzit që njihni, të informoheni për vende të lira pune dhe të zgjeroni rrjetin profesional.

Sipas saj, kontaktet personale dhe profesionale janë gjithnjë e më të rëndësishme në tregun e sotëm të punës.

Në fund, një mërzitje e lehtë të dielën nuk do të thotë automatikisht se duhet të jepni dorëheqjen. Por nëse ankthi është i vazhdueshëm, ndikon në gjumin, shëndetin, marrëdhëniet dhe jetën tuaj jashtë punës, ia vlen ta merrni seriozisht dhe të mendoni nëse puna aktuale është ende zgjedhja e duhur për ju. /GazetaExpress/