Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar ashpër partinë e tij për ndryshimin e shpeshtë të qëndrimeve politike gjatë 18 muajve të fundit, veçanërisht në raport me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin. Gashi ka theksuar se kjo paqëndrueshmëri ka ngatërruar votuesit, duke e bërë të vështirë për ta kuptuar pozicionin thelbësor të LDK-së.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, Gashi përmendi kalimin e LDK-së nga qëndrimi fillestar “me Kurtin nuk bisedojmë”, tek kërkesa për zgjedhje të reja, më pas propozimi për bashkëqeverisje dhe së fundmi ideja për zgjedhjen e përbashkët të presidentit.
“Votuesi nuk ka faj. Nuk e ka të lehtë ta kuptojë se për çka qëndron LDK-ja, kur për 18 muaj kaluam nga ‘me Kurtin nuk bisedojmë’, te ‘duam zgjedhje’, pastaj ‘duam bashkëqeverisje’, e tani te ‘hajde ta bëjmë bashkë Presidentin’”, shkroi Gashi.
Ai kritikoi po ashtu situatën politike në vend, duke nënvizuar se Kosova ka kaluar në tre palë zgjedhje dhe rrezikon të katërtat, ndërsa vendi mbetet pa një qeveri funksionale dhe pa institucione të qëndrueshme.
Gashi akuzoi eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje se po tentojnë të etiketojnë “gjashtë deputetë të LDK-së” si fajtorë për dështimin e tyre, siç thotë ai, për të nënshtruar LDK-në dhe Kosovën.
“Ku janë parimet? Ku është konsistenca? Ku është drejtimi? Ku është ideali?”, pyeti ai retorikisht, duke shtuar me vendosmëri: “LDK-ja nuk nënshtrohet dhe nuk shantazhohet. Kot e keni.”
Në fund të reagimit të tij, Gashi bëri thirrje për një rikthim te parimet dhe identiteti politik i mirëfilltë i LDK-së. “Kosovës i duhet LDK-ja e vërtetë: një LDK që ka politika, programe, aleanca dhe vizion për zhvillimin e vendit; një LDK që bashkëpunon, por që nuk e humb identitetin dhe parimet e saj”, përfundoi Gashi.
