**Egla Ceno reagon ashpër kundër skandalit të videove intime: Dënon dhunën dhe ofron mbështetje**

Aktorja dhe regjisorja Egla Ceno ka reaguar ashpër në lidhje me skandalin e fundit të publikimit të videove intime, duke dënuar me forcë dhunën, linçimin dhe poshtërimin që po u bëhet grave.

Në reagimin e saj publik, Ceno shprehu neverinë e thellë ndaj aktit pervers të regjistrimit dhe publikimit të këtyre videove. Ajo theksoi se kishte komunikuar privatisht me njërën prej vajzave të prekura, duke i ofruar mbështetjen e saj si grua. “Mundem vetëm të imagjinoj gjendjen e saj psiko-emocionale,” u shpreh ajo.

Ceno iu kundërpërgjigj ashpër edhe atyre komentuesve që po shfrytëzojnë ngjarjen për të sulmuar gratë e ekranit. Ajo theksoi se “video të tilla nuk janë vetëm një video, por poshtërim publik dhe shkatërrim,” duke iu drejtuar atyre që përhapin urrejtje: “Ishalla nuk u del mamave dhe motrave tuaja ndonjë video e tillë.”

Më tej, aktorja e zgjeroi kritikën e saj, duke ngritur shqetësimin për problematikat më të gjera sociale dhe ekonomike në vend. Ajo bëri thirrje që shoqëria të fokusohet te shfrytëzimi dhe pabarazia, në vend që të merret me jetën private të individëve. “Boll patë krevatet e të tjerëve o të mjerë! Shikoni kush ju ka ulur pantallonat dhe po ju shfrytëzon kurrizin përditë, në shesh të diellit,” u shpreh Ceno, duke përmendur praninë e madhe të krahut të punës së huaj dhe shfrytëzimin e tyre në dëm të qytetarëve shqiptarë, “që po ju fshijnë, po ju shfrytëzojnë pa krevat fare!”