Mentor Gjergjaj zgjidhet kryetar i KMShK-së
Mentor Gjergjaj, kryeredaktor dhe bashkëthemelues i medias online Reporteri.net, është zgjedhur kryetar i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).
Përveç angazhimit si kryeredaktor i medias, nga tetori 2023 deri në shkurt 2024, Gjergjaj ka qenë menaxher i projektit “Luftimi i dezinformimit dhe propagandës përmes edukimit medial”, një projekt i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë nëpërmjet një granti për media të pavarura dhe i zbatuar nga “Reporteri” (R Media L.L.C.).
Gjergjaj ka qenë anëtar i Bordit të Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Gjithashtu, ai ka punuar si gazetar në Gazetën Express, ku ka mbuluar kryesisht fushat e sigurisë dhe drejtësisë, si dhe ka realizuar reportazhe dhe kërkime mbi ekstremizmin fetar në Kosovë.
Në vitin 2018, Gjergjaj ka marrë pjesë në programin “International Visitor Leadership Program” (IVLP) të Departamentit Amerikan të Shtetit, me temën “Reporting on Religion”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtin vit, ai ka marrë pjesë edhe në seminarin “Journalism and Review of Judicial Processes”, organizuar nga Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar e Kosovës në Akademinë Ndërkombëtare të Parimeve të Nurembergut, në Nuremberg të Gjermanisë. Si kryetar i KMShK-së, mandati i tij është njëvjeçar.
