**Prishtina: Zgjerim i Rrjetit të Kamerave të Sigurisë, Përfshihen të Gjitha Parqet**
Kryeqyteti ka hyrë në fazën e dytë të projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë, ku planifikohet shtimi i rrjetit me 55 lokacione të tjera, duke përfshirë të gjitha parqet e Prishtinës. Ky projekt parashikon gjithashtu krijimin e një Qendre Operative për monitorimin e kamerave, të cilat do të mbikëqyren ekskluzivisht nga Policia e Kosovës.
Lulzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, në një intervistë për Ekonomia Online, ka theksuar se faza e parë e projektit ka përfunduar me sukses, me instalimin e kamerave në 55 lokacione, që ofrojnë rreth 220 kënde shikimi, të cilat monitorohen 24 orë në ditë nga Policia e Kryeqytetit.
Ai bëri të ditur se për fazën e dytë është nënshkruar një kontratë trevjeçare. Kjo kontratë parasheh zgjerimin e rrjetit të kamerave, bazuar në vlerësimet e përbashkëta të rrezikut nga Policia dhe drejtoritë përkatëse komunale.
“Risija për fazën e dytë është se do të vendosen dhe monitorohen kamera në të gjitha parqet e Kryeqytetit. Kjo përfshin Parkun e Gërmisë, Parkun e Qytetit, Parkun e Arbërisë, si dhe parqet në Taukbahçe, Ulpianë, Dardani. Pra, aty ku kemi investuar në ndërtimin e parqeve, vendosjen e lodrave dhe pajisjeve të tjera përcjellëse, të cilat fatkeqësisht janë shkatërruar nga persona të pandërgjegjshëm,” tha Fushtica.
Fushtica theksoi se me përfundimin e fazës së dytë, numri i lokacioneve të mbuluara me kamera do të kalojë mbi 120. Sipas tij, zgjerimi i rrjetit synon rritjen e sigurisë publike, përmirësimin e sigurisë në trafik dhe parandalimin e veprave penale. Ai shtoi se, “në këtë fazë të dytë do të kemi një zgjerim më të madh me 55 lokacione të tjera, duke arritur në mbi 120 lokacione në Kryeqytet dhe do të procedojmë edhe me ngritjen e Qendrës Operative për monitorimin e kamerave, e cila do të rrisë kapacitetin e monitorimit nga ana e Policisë së Kryeqytetit dhe po ashtu do të rrisë sigurinë publike dhe sigurinë në trafik, e cila është një prej objektivave të vendosjes së kamerave.”
Drejtori gjithashtu u shpreh se përmes këtij projekti synohet edhe ruajtja e hapësirave publike dhe e pronës komunale. “Pra, do të përqendrohemi në rritjen e sigurisë në trafik, rritjen e sigurisë për publikun, parandalimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe ruajtjen e hapësirave publike dhe të mirave materiale të Kryeqytetit,” sqaroi ai.
Duke folur për rezultatet e fazës së parë, Fushtica deklaroi se, bazuar në statistikat e Policisë së Kryeqytetit, kamerat kanë ndihmuar në zbardhjen e rasteve të aksidenteve të trafikut, veçanërisht të rasteve kur drejtuesit largohen nga vendi i aksidentit, si dhe të rasteve të vjedhjeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Sipas tij, vendosja e kamerave ka ndikuar edhe në rritjen e vetëdijes së qytetarëve për respektimin e rregullave të komunikacionit dhe për sigurinë në hapësirat publike.
Fushtica përmendi edhe rritjen e numrit të gjobave në trafik, duke theksuar se ato nuk janë qëllim në vetvete, por një masë për vetëdijesimin e qytetarëve. Ai shtoi se të ardhurat nga gjobat kthehen në buxhetin e Kryeqytetit dhe përdoren për investime në siguri dhe projekte të tjera kapitale. “Kemi zbulueshmëri të jashtëzakonshme të rasteve të aksidenteve të trafikut, kryesisht të atyre me largim nga vendi i ngjarjes, rasteve të vjedhjeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale, si dhe një rritje të besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të Policisë dhe Kryeqytetit në përgjithësi,” tha ai për Ekonomia Online.
Sa i përket shqetësimeve për privatësinë, drejtori i Sigurisë dhe Emergjencave tha se ato ishin ngritur në fillim të projektit, para tri vjetësh, por se çështja është trajtuar si në aspektin publik, ashtu edhe në atë ligjor. Ai bëri të ditur se janë marrë të gjitha lejet e nevojshme nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, ndërsa theksoi se monitorimi bëhet ekskluzivisht nga Policia e Kosovës, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi. “Policia e Kosovës ka procedurat dhe standardet operacionale se si bëhet monitorimi i kamerave. Dua të theksoj edhe një herë, bazuar edhe në Nenin 25 të Ligjit për Policinë, se Policia është i vetmi institucion që ka të drejtë të monitorojë hapësirat publike. Pra, qytetarët duhet të jenë të sigurt se askush tjetër nuk i monitoron këto kamera përveç Policisë së Kryeqytetit,” sqaroi ai.
Fushtica garantoi se pamjet e kamerave nuk mund të keqpërdoren apo të publikohen pa respektuar procedurat ligjore. Ai theksoi se sistemi funksionon përmes fibrës optike dhe jo Wi-Fi-t, ndërsa specifikimet teknike janë përgatitur nga ekspertët e Policisë së Kosovës. “Sistemi i kamerave është me fibër optike, pra një qark i mbyllur, dhe janë marrë të gjitha masat e sigurisë nga ekspertët e IT-së të Policisë së Kosovës, të cilët kanë përgatitur specifikimet për këto kamera, për të parandaluar ndërhyrjet apo sulmet kibernetike. Kamerat janë prodhim kanadez dhe i kanë kaluar të gjitha testet e sigurisë, bazuar në legjislacionin në fuqi,” përfundoi ai.
