Prokuroria Speciale e Kosovës ka vendosur të mbyllë hetimet ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, vendim që ky i fundit e bëri të ditur përmes një video-mesazhi. Aliu shprehu edhe pritshmërinë se do të vazhdojë të sulmohet sërish, pavarësisht mbylljes së çështjes.
Aliu theksoi se, përveç punës së tij si ministër, hetimet përfshinë edhe pasurinë e tij dhe të gjithë familjes, si dhe të ardhurat e tyre ndër vite.
Në një postim në platformën sociale Facebook, ish-ministri detajoi se vendimin për pushimin e hetimeve e kishte marrë nga avokati i tij, duke shtuar se ai ishte marrë më 11 shtator dhe ishte komunikuar më 2 tetor.
Ai shpjegoi se procesi hetimor kishte nisur para dy vitesh dhe ishte shoqëruar vazhdimisht me spekulime të shumta mediatike. Sipas Aliut, pasuria e tij dhe e familjes, si dhe të ardhurat, ishin deklaruar rregullisht që nga viti 2011, përfshirë edhe periudhën aktuale të detyrës së re.
Aliu u shpreh se, që nga fillimi i hetimeve, ishte sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime të rënda, të cilat iu drejtuan jo vetëm atij, por edhe familjes së tij, si dhe “idealit kombëtar” që ai pretendon se ka përpjekje ta zbatojë me modesti.
Përballë këtyre akuzave, Aliu deklaroi se kishte zgjedhur të heshtte dhe të mirëpriste hetimin, siç mirëpret edhe sot vendimin për mbylljen e tij, pavarësisht se për të kishte qenë gjithmonë i pritshëm.
Ai parashikoi se mund të vazhdojë të jetë objektiv i sulmeve me shpifje, ashtu siç ka ndodhur më parë. Aliu shtoi se, në një botë ku lajmi i rremë përhapet lehtësisht, ai është i gatshëm të përballet me të vërtetën.
Në fund të postimit, ai falënderoi të gjithë ata që i besuan.
