Prokuroria Speciale ka vendosur të pushojë hetimet ndaj ish-ministrit Liburn Aliu. Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë Aliu përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se “e vërteta doli në shesh”.
Sipas Aliut, vendimi i Prokurorisë Speciale është marrë më 11 shtator, ndërsa atij i është komunikuar zyrtarisht më 2 tetor nga avokati i tij.
Ish-ministri deklaroi se hetimet, të cilat kishin nisur rreth dy vite më parë, ishin shoqëruar me atë që ai i cilësoi “spekulime të shumta mediatike” dhe sulme të drejtpërdrejta ndaj tij dhe familjes së tij.
“Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin,” shkroi Aliu në postimin e tij.
Në fund, ai falënderoi të gjithë ata që i kishin besuar gjatë kësaj periudhe dhe rikonfirmoi gatishmërinë e tij për t’u përballur gjithmonë me të vërtetën.
