Selektori i kombëtares së Austrisë, Ralf Rangnick ka folur pasi skuadra e tij mori një barazim të madh në Prishtinë, ndaj Kosovës.

Kosova e Austria e mbyllën me barazim ndeshjen, me shifrat prej 1-1 në “Fadil Vokrri”.

Ai u shpreh i kënaqur me një pikë sonte, teksa përsëri u ankua për kushtet e fushës së “Fadil Vokrrit”.

“Ishte e rëndësishme që ne sërish arritëm të merrnim pikë. Jemi të kënaqur me këtë pikë. Kushtet ishin të vështira ashtu siç e kemi pritur. Ishte e qartë se nuk do të mund të kishim ndeshje të bukur me këto kushte të fushës. Goli që e pranuam nuk ka të bëj asgjë me fushën. Duhet të përballesh me lojën që bën kundërshtari. Kishim shumë pasime të pasakta të cilat nuk ishin vetëm si pasojë e fushës. Tani, sidoqoftë, është e rëndësishme që e përfunduam këtë cikël të katër ndeshjeve pa humbje dhe po shohim para drejt ndeshjeve të nëntorit”, ka deklaruar përzgjedhësi i Austrisë pas ndeshjes në Prishtinë.

Kjo ndeshje i takoi xhiros së katërt të Ligës B të Ligës së Kombeve, me Kosovën e Austrinë që janë pjesë e Grupit 3.

Austria me këtë pikë të fituar shkon në kuotën e tetë pikëve në krye të tabelës, të cilën do ta mbajë deri në nëntor, të paktën./GazetaExpress/