Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka lëshuar një mesazh të qartë pak para nisjes së seancës parlamentare, ku pritet të diskutohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. “Për UÇK-në! Për çlirimtarët! Për drejtësinë!”, thekson PDK-ja përmes një postimi në rrjetet sociale.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka në rend dite shqyrtimin e një projektligji që propozon ndryshime dhe plotësime në ligjin ekzistues lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara. Ky reagim i partisë vjen pikërisht në momentin kur deputetët po diskutojnë këtë iniciativë legjislative.

Projektligji, i propozuar nga vetë PDK-ja, synon disa ndryshime thelbësore. Ai kërkon kufizimin e juridiksionit të Dhomave të Specializuara, bartjen e rasteve që konsiderohen jashtë këtij juridiksioni drejt Kosovës, mundësinë e ankimit në Gjykatën Supreme, si dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e tij brenda territorit të Kosovës.

Propozimi për këto ndryshime në ligj vjen pas dënimeve në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me një total prej 81 vjet burgim.