Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, duke siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh. Kjo financë do të shërbejë për renovimin dhe zgjerimin e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Miratimi u bë me 95 vota pro, pa asnjë kundër apo abstenim.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, ka detajuar projektin dhe mënyrën e shfrytëzimit të fondeve.

Murati theksoi se projekti do të sjellë përfitime të shumanshme për studentët, duke mbështetur njëkohësisht organizimin e suksesshëm të Lojërave Mesdhetare.

“Projekti synon të rinovojë dhe zgjerojë infrastrukturën e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës, kryesisht pjesën e konvikteve, si dhe të rinovojë e ndërtojë objekte sportive në institucione të ndryshme arsimore në afërsi të konvikteve,” shpjegoi Murati. Ai shtoi se gjatë zhvillimit të lojërave, kampusi studentor do të shërbejë përkohësisht si fshat i atletëve, ndërsa ambientet sportive të shkollave përreth do të përdoren si qendra stërvitore. “Përtej Lojërave Mesdhetare, projekti është dizajnuar për të lënë një trashëgimi të qëndrueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës, si dhe për banorët e qytetit,” përfundoi Murati.

Lidhur me strukturën financiare, Murati bëri të ditur se vlera e kredisë është 60 milionë euro, me mundësinë e sigurimit të një granti shtesë investiv prej 10 milionë eurosh.

“Sa i përket strukturës së financimit, vlera e kredisë që pritet të financojë këtë projekt është propozuar të jetë 60 milionë euro, me mundësi përfitimi edhe të një granti shtesë investiv në vlerë prej 10 milionë eurosh,” theksoi ai.

Këto fonde do të shërbejnë për përmirësimin thelbësor të infrastrukturës së kampusit universitar dhe objekteve sportive përreth. Gjatë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ato do të luajnë një rol jetik në akomodimin dhe përgatitjen e sportistëve. Pas përfundimit të evenimentit, infrastruktura e rinovuar do të mbetet plotësisht në shërbim të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe komunitetit lokal.