Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar dje nga Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për vendosjen e Policisë përballë tyre.

Në reagimin e saj, OVL-UÇK thekson se “Kurti e Sveçla dje e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit”, duke dënuar ashpër veprimin e Policisë.

Sipas OVL-UÇK-së, “ajo që ndodhi dje është një njollë e rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës”, teksa akuzoi Kurtin dhe Sveçlën, të cilët i cilësoi “dy dezertorë të luftës”, se vendosën Policinë përballë veteranëve që “luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet”.

Organizata theksoi se plagët e veteranëve ende nuk janë shëruar dhe kritikoi pushtetin për urdhërimin e dhunës ndaj tyre nga “uniforma e shtetit për të cilin luftuan”. OVL-UÇK i bëri thirrje Kurtit dhe Sveçlës se veteranët e UÇK-së nuk janë njerëz që mund të nënshtrohen me shkopinj, gaz dhe uniforma policore.

Në reagim, OVL-UÇK paralajmëroi se “uniformat policore nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia” ata që urdhëruan dhe zbatuan veprimet e Policisë, si dhe se “pushteti nuk jep të drejtën të shkelësh mbi dinjitetin e veteranëve”.

Organizata kërkoi përgjegjësi të plotë për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune, si dhe hetim të menjëhershëm për çdo tejkalim të kompetencave.

Në fund, Organizata kërkoi lirimin e menjëhershëm të dy veteranëve të ndaluar, anëtarit të Kryesisë së OVL-UÇK-së, Ekrem Selimit, dhe Fadil Zogajt, të cilët po mbahen në paraburgim nga organet policore.