Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë është shprehur “thellësisht e shqetësuar” për ndryshimet e fundit që Kuvendi i Kosovës i bëri Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Kjo deklaratë u dha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë (REL).

Një ditë më parë, gjatë një votimi pak para mesnatës, deputetët kosovarë miratuan ndryshime që kufizojnë kompetencat e kësaj gjykate me bazë në Hagë.

Zëdhënësja e Ambasadës gjermane, Catalina Heine, theksoi për REL-in se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur dhe pavarësia e tyre nuk duhet të cenohet.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion gjyqësor i pavarur, i themeluar në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës. Qëllimi i tyre është të sigurojnë llogaridhënie dhe drejtësi për viktimat nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Për të përmbushur këtë synim, pavarësia e tyre duhet të respektohet plotësisht,” citohet në përgjigjen e ambasadës.

Ambasada Gjermane theksoi edhe mbështetjen ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian kundër këtyre ndryshimeve ligjore.

Më herët, Bashkimi Evropian (BE) deklaroi se ndryshimet bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Christian Wiegand, zëdhënësi i BE-së, citohet të ketë thënë për REL-in: “Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.”

REL-i ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për një koment rreth shqetësimeve të ngritura nga ndërkombëtarët, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, Përparim Gruda, zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), partisë kryesore opozitare që inicioi ndryshimet, insistoi se Kosova “nuk po i shkel” detyrimet e saj ndërkombëtare.

Ndryshimet e miratuara ngushtojnë fushëveprimin e Gjykatës Speciale në lidhje me veprat penale, periudhën kohore dhe territorin, kufizojnë dënimin maksimal në 15 vjet dhe parashohin transferimin e rasteve ose dënimeve në Kosovë.

Këto ndryshime vijnë pas dënimit, më 16 shtator, të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të katër të dënuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar se do të ankohen në shkallën e apelit.

Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.

Ndër zotimet e Kosovës asokohe ishte edhe konsultimi me BE-në për çdo nismë ndryshimi të ligjeve që ndikojnë në mandatin e gjykatës ose në procedurat gjyqësore që burojnë nga hetimet e Task-Forcës Speciale Hetuese (SITF).

Gjithashtu, Kosova u zotua për vazhdimin e punës së Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar deri në përfundimin e hetimeve dhe procedurave përkatëse.

Dhomat e Specializuara e kanë selinë në Hagë dhe përbëhen nga gjyqtarë e prokurorë të huaj, megjithëse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro që nga themelimi.