Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presin që raporti i Komisionit Evropian të pasqyrojë progresin e arritur në Kosovë.
Ai kështu është shprehur gjatë takimit që ka zhvilluar në margjina të Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, në Mal të Zi, me Ministrin e Shtetit të Irlandës për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne.
“Muaji nëntor është i rëndësishëm dhe presim që Raporti i Komisionit Evropian të pasqyrojë progresin e arritur dhe që ky progres të marrë formë konkrete përmes marrjes së pyetësorit të Komisionit Evropian”, u shpreh Kurti.
Duke e falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën dhe për kontributin e Irlandës në siguri përmes KFOR-it, kryeministri Kurti tha se mbi 3,000 pjesëtarë të ushtrisë irlandeze kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, ndërkaq paraprakisht mbi 1,000 refugjatë shqiptarë nga lufta e Kosovës gjetën strehim në Irlandë.
Ai shtoi se Republika e Kosovës vazhdon të punojë me partnerët, ashtu që progresi demokratik dhe përkushtimi evropian të përkthehen në hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
