Rrjeti publik WiFi4WB në Kosovë ka shënuar mbi 1.1 milion lidhje në internet, duke dëshmuar një përdorim të gjerë që nga fillimi i tij. Vetëm në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, brenda rreth gjashtë javësh, janë realizuar mbi 14 mijë kyçje.

Këto të dhëna u bënë publike gjatë ngjarjes “Gati për t’u Lidhur”, e cila shënoi përfundimin e shtrirjes së rrjetit WiFi4WB në 33 komuna dhe 43 lokacione në mbarë vendin.

Ministri i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, theksoi se suksesi i projektit nuk matet vetëm me numrin e pikave të instaluara, por edhe me mënyrën se si ato përdoren nga qytetarët.

Në të njëjtën linjë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi lart rëndësinë e qasjes falas në internet në hapësirat publike. Ai nënvizoi se kjo u ofron qytetarëve mundësi më të mëdha për arsim, punësim dhe shfrytëzim të shërbimeve të ndryshme.

Ndërkaq, shefi i Çështjeve Politike në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Getruda, e përshkroi projektin si një arritje konkrete, që qytetarët mund ta shfrytëzojnë drejtpërdrejt përmes qasjes falas në internet.

Daniel Alker, shefi i Bashkëpunimit në Ambasadën Gjermane në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes partnerëve evropianë, institucioneve të Kosovës dhe komunave për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.

WiFi4WB (Wi-Fi for Western Balkans) është një nismë rajonale e dizajnuar për të ofruar rrjete publike Wi-Fi falas dhe me shpejtësi të lartë në hapësirat publike të komunave në mbarë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, duke synuar përmirësimin e lidhshmërisë dixhitale për të gjithë.