Katër shtetas ukrainas janë arrestuar në Vjenë të Austrisë, nën dyshimin për spiunazh, mes tyre dy gazetarë. Ministri i Brendshëm austriak, Gerhard Karner, konfirmoi lajmin të premten.
Gazeta ukrainase “Ukrainska Pravda” raportoi se dy nga të arrestuarit janë anëtarë të ekipit të saj. Karner theksoi se tre nga katër personat vazhdojnë të jenë në paraburgim, ndërsa refuzoi të japë detaje shtesë, duke argumentuar se hetimet janë ende në vijim.
Agjencia austriake e lajmeve APA, duke cituar një zëdhënëse të Ambasadës së Ukrainës në Vjenë, bëri të ditur se ambasada po kërkon sqarime nga autoritetet austriake për rrethanat dhe bazën ligjore të arrestimeve.
Kryeredaktorja e “Ukrainska Pravda”, Sevgil Musaieva, njoftoi në Facebook se gazetari hulumtues Mykhailo Tkach ishte liruar të enjten, pas më shumë se 12 orësh ndalimi. Megjithatë, ajo theksoi se pajisjet e tij të komunikimit nuk i janë kthyer, gjë që e bën të pamundur kontaktin e drejtpërdrejtë me të nga redaksia.
Musaieva shtoi se kameramani Yaroslav Bondarenko kishte pësuar lëndime gjatë ndalimit të tij. “Aktualisht, nuk jemi në dijeni të statusit procedural të të dy gazetarëve,” citonte ajo.
Ndërkohë, revista austriake “Profil” raportoi, duke cituar një zëdhënëse të Prokurorisë së Vjenës, se Bondarenko pritet të lirohet së shpejti. Dy personat e tjerë, të arrestuar të hënën, dyshohen se kanë spiunuar për një shërbim ukrainas të inteligjencës dhe vazhdojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa autoritetet austriake vijojnë hetimet.
