Vrasja e dyfishtë në Gjilan: Ministrja Gërvalla kërkon reagim parandalues, jo pas dhunës
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka shprehur dhimbje dhe indinjatë të thellë pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Gërvalla e ka përshkruar ditën e djeshme si tragjike, duke theksuar se një tjetër familje është goditur nga një tragjedi e pariparueshme.
Ajo theksoi se institucionet dhe shoqëria nuk duhet të presin që të ndodhin vrasje të grave për të reaguar, por duhet të ndërmarrin veprime parandaluese ndaj rasteve të tilla.
“Detyrimi ynë është të veprojmë, të parandalojmë dhe të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë që tragjedi të tilla të mos përsëriten kurrë”, ka shkruar Gërvalla.
Ministrja ka vënë në dukje se vrasja e grave përbën një krim të rëndë dhe të tmerrshëm, duke theksuar se shoqëria nuk mund të trajtojë si të pashmangshme diçka që ka detyrimin ta parandalojë.
/IndeksOnline/
