Presidentja Justina Shiroka-Pula ka marrë urime për zgjedhjen e saj në detyrë nga katër homologë: presidenti i Finlandës, Alexander Stubb; presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Presidenti finlandez, Alexander Stubb, i uroi Presidentes Shiroka-Pula sukses në ushtrimin e detyrës, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në mbështetje të paqes, stabilitetit, demokracisë dhe integrimit evropian.
Në telegramin e urimit, presidentja sllovene, Natasha Pirc Musar, shprehu bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë do të forcohen më tej. Ajo riafirmoi mbështetjen e vendit të saj për Kosovën në avancimin e parimeve demokratike, bashkëpunimin rajonal, forcimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit. Musar shprehu gjithashtu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni, siç u njoftua nga Presidenca.
Presidenti shqiptar, Bajram Begaj, e uroi Presidenten Shiroka-Pula për zgjedhjen në këtë detyrë, duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova do të qëndrojnë bashkë përballë sfidave dhe në rrugën drejt së ardhmes evropiane.
Ndërkaq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i përcjelli urimet e saj Presidentes Shiroka-Pula, duke shprehur besimin se udhëheqja e saj do të kontribuojë në forcimin e dialogut dhe kohezionit shoqëror. Ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të ndërtuara mbi mirëkuptimin dhe respektin e ndërsjellë, si dhe shprehu gatishmërinë për t’i dhënë shtysë të re bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor ndërmjet dy shteteve, bëri të ditur Presidenca.
