**Ulutas përfundon mandatin: Siguria në Kosovë, shumë më e mirë se në vitin 1999**
Gjeneralmajor Ozkan Ulutas, komandanti në largim i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), ka theksuar se situata e sigurisë sot është dukshëm më e mirë se ajo e vitit 1999. Ky deklarim u bë gjatë një adresimi lamtumirës, para largimit të tij nga Kosova.
Njëzet e pesë vjet më parë, në qershor të vitit 1999, trupat e NATO-s u dislokuan në Kosovë, me rreth 55 mijë ushtarë nga 36 vende.
Gjeneral Ulutas deklaroi se, përmes përkushtimit dhe qëndrueshmërisë, KFOR-i i ka qëndruar besnik parimeve të tij, duke vepruar në mënyrë të paanshme, transparente dhe të vendosur në përmbushjen e misionit.
“Sot, situata e sigurisë është shumë më e mirë se në vitin 1999. Organizatat e sigurisë në Kosovë janë zhvilluar dhe janë bërë më të afta. Çdo ditë, Policia e Kosovës, së bashku me EULEX-in, garanton sigurinë publike për të gjitha komunitetet. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë: i pranishëm në të gjithë Kosovën, si një forcë që ofron siguri dhe qetësi, që mbron stabilitetin e arritur me mund dhe është gjithmonë i gatshëm të ndërhyjë nëse ka rreziqe për përkeqësimin e situatës së sigurisë,” ka thënë Ulutas.
Ai theksoi gjithashtu se KFOR-i vazhdon ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe garantimin e lirisë së lëvizjes. Gjithsesi, ai shtoi se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme nuk është ushtarake, por politike.
“Prandaj, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në këtë drejtim, përfshirë mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës në të ardhmen. Ky është kuadri për të trajtuar çështjet e pazgjidhura dhe për të kërkuar zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve,” ka deklaruar Ulutas, duke e cilësuar KFOR-in si një “histori suksesi”.
Vlen të theksohet se gjeneralmajor Ozkan Ulutas do t’ia dorëzojë detyrën e tij komandantit të ri të misionit KFOR, gjeneralmajor Roberto Vergori nga Italia, më 14 tetor.
