**Musa: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara synojnë drejtësi objektive dhe kufizim fushëveprimi**
Avokati Skender Musa e ka vlerësuar si hap pozitiv miratimin në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas tij, këto ndryshime synojnë garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor, pa paragjykuar vendimmarrjen e gjykatës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Musa theksoi se qëllimi i ndryshimeve është kufizimi i fushëveprimit të gjykatës dhe kthimi i ligjit në frymën e propozimit fillestar të Këshillit të Evropës, lidhur me raportin e Dick Marty-t. Ai sqaroi se kompetenca e Dhomave të Specializuara duhet të jetë e kufizuar vetëm në veprat që lidhen me krimet e luftës, ndërsa ato që nuk kanë lidhje me këto krime nuk përfshihen në juridiksionin e tyre.
Musa shtoi se ndryshimet ligjore nuk ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet gjyqësore, por synojnë të krijojnë objektivitet më të madh për palët në procedurë, trupin gjykues dhe kolegjet.
Ndryshimet në ligj u miratuan në lexim të dytë më 6 tetor, me 88 vota pro. Ky miratim ka ngjallur reagime të shumta nga ambasadat e huaja në Prishtinë, si dhe nga Bashkimi Evropian.
