Një klub i madh evropian po e shqyrton mundësinë e transferimit të kapitenit të Liverpoolit, Virgil van Dijk, pasi mundësia që mbrojtësi qendror të largohet drejt një aventure të re verën e ardhshme ka filluar të bëhet gjithnjë e më e pranishme.
Mbrojtësi 35-vjeçar holandez ka qenë një zbulim i vërtetë te Liverpooli që nga transferimi i tij në janar të vitit 2018 nga Southampton, për një shumë prej 75 milionë funtesh.
Që atëherë, Van Dijk ka regjistruar gjithsej 383 paraqitje për skuadrën nga pjesa e kuqe e Merseyside dhe ka shënuar 36 gola, duke u shndërruar në një nga pjesët e fundit të rëndësishme të mozaikut për Liverpoolin, në rrugëtimin drejt një epoke suksesi nën drejtimin e Jurgen Kloppit.
Në vitin 2025, Van Dijk nënshkroi një zgjatje dyvjeçare të kontratës me Liverpoolin, por tashmë kanë mbetur më pak se 12 muaj deri në përfundimin e saj dhe, nëse gjërat vazhdojnë kështu, holandezi mund të largohet si lojtar i lirë nga skuadra e Andoni Iraolas verën e ardhshme.
Gjatë kohës së tij në “Anfield”, Van Dijk ka fituar dy tituj të Premierligës, Ligën e Kampionëve, FA Cup, dy Kupa të Ligës, Superkupën e UEFA-s dhe Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, duke u shndërruar në një prej legjendave moderne të klubit.
Reprezentuesi i Holandës, i cili ka zhvilluar 100 paraqitje për kombëtaren e tij dhe ka shënuar 14 gola për portokallinjtë, nënshkroi kontratë të re me Liverpoolin në vitin 2025, afërsisht në të njëjtën kohë me një tjetër legjendë të klubit, Mo Salah.
Megjithatë, ky i fundit u largua nga Liverpooli gjatë verës, një vit para përfundimit të kontratës së tij, pas përkeqësimit të marrëdhënieve me trajnerin e atëhershëm të Liverpoolit, Arne Slot, ndërsa egjiptiani më pas u transferua te skuadra turke Trabzonspor.
Kontrata e Van Dijkut me Liverpoolin skadon në fund të qershorit të ardhshëm, pak para se ai të mbushë 36 vjeç.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje e re, nga janari ai do të ketë të drejtë të nënshkruajë një parakontratë me skuadra jashtë Anglisë, për ta siguruar një transferim jashtë vendit si lojtar i lirë verën e ardhshme.
Një klub që mund të përfitojë nga kjo situatë është gjiganti katalunas Barcelona, i cili raportohet se po e shqyrton mundësinë për ta sjellë Van Dijkun në La Liga.
Sipas mediumit katalunas “El Nacional”, kapiteni i Liverpoolit është një nga opsionet që skuadra e Hansi Flickut po i vlerëson përkrah talentit adoleshent Pau Cubarsi, i cili është shndërruar në një prej talenteve të fundit të akademisë La Masia që ka depërtuar drejtpërdrejt në ekipin e parë të Barcelonës.
Raporti sugjeron se Van Dijk do të ishte një lojtar me përvojë nga i cili Cubarsi, pjesë e skuadrës së Spanjës që e fitoi Kupën e Botës gjatë verës, do të mund të mësonte shumë. Gjithashtu, theksohet se një qëndrim i mundshëm në “Camp Nou” nuk do të ishte afatgjatë.
Në raport thuhet: “Për Hansi Flickun, ky profil do të kishte kuptim duke marrë parasysh karakteristikat dhe përvojën e lojtarit.
“Cubarsi tashmë është i përgatitur për ta udhëhequr mbrojtjen e Barcelonës, por klubi vazhdon të kërkojë një qendërmbrojtës që mund ta plotësojë dhe ta ndihmojë të vazhdojë zhvillimin ashtu siç ka bërë deri më tani.
“Van Dijk do të sillte diçka ndryshe. Përvoja e tij në ndeshjet e nivelit më të lartë, dominimi në duelet ajrore dhe aftësia për ta organizuar një vijë të lartë mbrojtëse do t’ia lehtësonin Cubarsit një pjesë të përgjegjësisë, në një kohë kur ai nuk e ka një partner të besueshëm te Barcelona”.
Një pengesë e mundshme për realizimin e këtij transferimi do të ishte paga e Van Dijkut, duke qenë se ai vazhdon të jetë ndër lojtarët më të paguar te Liverpooli.
Për këtë arsye, sugjerohet se holandezi mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër për sezonin e ardhshëm, ndërsa Barcelona do të vazhdonte të kërkonte në treg një partner afatgjatë për Cubarsin.
Raporti shton: “Plani i Barcelonës nuk është ta ndërtojë të ardhmen e saj rreth holandezit. Në moshën 36-vjeçare gjatë sezonit të ardhshëm, çdo transferim i mundshëm i tij do të duhej të konsiderohej si një marrëveshje afatshkurtër, me gjasë për një vit, dhe do të varej shumë nga kërkesat e tij për pagën.
“Pikërisht këtu qëndron pengesa kryesore. Van Dijk vazhdon të ketë një nga pagat më të larta në skuadrën e Liverpoolit, me kushte financiare që Barcelona do ta kishte të vështirë t’i pranonte, përveç nëse ai pajtohet me një ulje të konsiderueshme të pagës. Megjithatë, nga këndvështrimi sportiv, kjo marrëveshje do t’i mundësonte klubit ta shtynte për më vonë një investim prej disa milionë eurosh për një tjetër qendërmbrojtës”./GazetaExpress/
