Policia në Prishtinë ka nisur kontrolle të intensifikuara kundër tejkalimit të shpejtësisë në rajon.

Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë (DRP) Prishtinë, ka nisur këto kontrolle të shtuara në rrugët nacionale dhe rajonale, duke përdorur automjete inteligjente për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik.

Policia bën të ditur se gjatë inspektimeve të fundit janë evidentuar raste të rënda të tejkalimit të shpejtësisë. Si shembull, në zona me kufizim prej 80 km/h, disa automjete janë regjistruar duke lëvizur deri në 197 km/h.

“Policia e Kosovës do të zbatojë masa rigoroze ligjore ndaj të gjithë shkelësve, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve,” theksohet në njoftimin zyrtar.