Kërkesa e Komisionit për Punë të Jashtme: Diplomaci më e fuqishme për ish-krerët e UÇK-së

**Prishtinë** – Në mbledhjen e mbajtur sot, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme kërkoi një angazhim më të madh të diplomacisë parlamentare në lidhje me rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjithashtu, u theksua nevoja për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësuan si të domosdoshme që angazhimi diplomatik për katër ish-krerët e UÇK-së, të dënuar në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara të Hagës, të përfshihet në planin e punës së komisionit.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, theksoi se çështja e ish-krerëve të UÇK-së duhet të jetë ndër prioritetet e komisionit. Ai bëri thirrje që, përmes grupeve të miqësisë dhe diplomacisë parlamentare, të angazhohen mekanizmat shtetërorë për mbështetje diplomatike, ligjore dhe lobuese ndaj tyre. Reçica shtoi se ligji për Dhomat e Specializuara duhet të trajtohet me seriozitetin e duhur, njësoj si çdo ligj tjetër i miratuar në Parlamentin e Kosovës. Ai shprehu bindjen se shteti ka mekanizma të fuqishëm për të mbrojtur ata që konsiderohen të dënuar padrejtësisht, dhe ky angazhim duhet të jetë pjesë e planit të punës.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, kërkoi që Komisioni të përcaktojë edhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, duke theksuar se kjo është një nga përgjegjësitë thelbësore të komisioneve parlamentare. Ajo shtoi se komisionet kanë obligim të mbikëqyrin zbatimin e dy ligjeve brenda një viti kalendarik dhe sugjeroi që kjo të bëhet deri në fund të dhjetorit.

Gjatë diskutimit, u prek edhe tema e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe roli i Kuvendit në zhvillimet lidhur me dialogun me Serbinë dhe Dhomat e Specializuara në Hagë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, vlerësoi rolin e komisionit parlamentar në koordinimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme gjatë procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai theksoi nevojën për një mekanizëm mbikëqyrës dhe komunikim të strukturuar ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse për dialogun, veçanërisht në lidhje me Dhomat e Specializuara.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, u shpreh se plani i punës mund të rishqyrtohet me qëllim të përcaktimit të prioriteteve të përbashkëta dhe koordinimit të angazhimeve të deputetëve në organizatat ndërkombëtare. Ajo theksoi se Komisioni duhet të veprojë përtej çështjeve dhe bindjeve individuale, duke u përqendruar në shtyrjen përpara të interesit kombëtar. “Të gjithëve na konvenon që të punojmë me një plan pune që shtyn përpara interesin tonë të përbashkët,” përfundoi ajo.

Në fund të mbledhjes, komisioni miratoi edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndarjet buxhetore. Kjo mbledhje shënoi të parën e komisionit pas konstituimit të tij më 13 shtator.