Futbolli anglez po përballet me një krizë serioze financiare, pasi një raport i Rregullatorit të Pavarur të Futbollit (IFR) ka zbuluar se 94 për qind e klubeve kanë regjistruar humbje, ndërsa një numër i madh i tyre rrezikojnë falimentimin.

Sipas raportit të siguruar nga Daily Mail, rreth një e treta e klubeve të EFL-së dhe National League janë në situatë falimentimi, ndërsa mbi 60 për qind e tyre konsiderohen teknikisht të falimentuara.

Më shqetësuese është se më shumë se një e katërta e këtyre klubeve nuk do të mund të mbijetonin për më shumë se një muaj nëse pronarët do të ndërprisnin financimin.

Raporti paralajmëron për nevojën e një reforme urgjente, duke identifikuar si shkaktarë kryesorë rritjen e vazhdueshme të pagave të futbollistëve, borxhet dhe varësinë e klubeve nga financimi i pronarëve.

Një tjetër problem madhor është hendeku financiar mes Premier League dhe kategorive të tjera. Aktualisht, klubet e elitës angleze gjenerojnë mesatarisht 8.7 herë më shumë të ardhura sesa ato të Championship-it, ndërsa në vitin 1992 diferenca ishte vetëm 2.7-fish.

Edhe ndihmat financiare që marrin skuadrat e Premier League pas rënies nga kategoria krijojnë presion shtesë për klubet e tjera, të cilat detyrohen të marrin rreziqe financiare për të mbetur konkurruese.

Rritje e madhe e pagave dhe humbjeve

Nga sezoni 2021/22 deri në atë 2025/26, pagat janë rritur me 33 për qind në Premier League, 32 për qind në Championship, 71 për qind në League One dhe 63 për qind në League Two.

Ndërkohë, humbjet financiare të klubeve kanë ardhur duke u thelluar. Në Premier League, ato janë rritur nga 20 milionë në 44 milionë paundë, ndërsa në Championship nga 13 milionë në 22 milionë paundë.

Në League One, humbjet janë trefishuar brenda pesë sezoneve, nga 2.4 në 7.5 milionë paundë, kurse në League Two janë rritur nga 600 mijë në 2.7 milionë paundë.

Raporti thekson se problemet nuk lidhen vetëm me shpenzimet për transferimin e lojtarëve. Rritja e kostove operative ka bërë që 17 klube të EFL-së dhe National League të regjistrojnë humbje edhe nëse nuk do të paguanin fare futbollistët.

Borxhi pritet të arrijë në 5.1 miliardë paundë

Sipas të dhënave të raportit, borxhi i përgjithshëm i klubeve është rritur nga 2.8 miliardë paundë në sezonin 2020/21 në 4.1 miliardë në 2024/25, ndërsa parashikohet të arrijë në 5.1 miliardë paundë në sezonin aktual.

Klubet e Premier League përbëjnë rreth 75 për qind të borxhit total.

Sa u përket të ardhurave, futbolli anglez gjeneroi mbi 9 miliardë paundë në sezonin 2025/26. Prej tyre, 7.5 miliardë i takojnë Premier League, një miliard Championship-it, 460 milionë League One dhe League Two, ndërsa 70 milionë paundë National League.

Këto shifra nxjerrin në pah pabarazinë në rritje mes elitës dhe kategorive më të ulëta, duke ngritur shqetësime serioze për qëndrueshmërinë financiare të futbollit anglez. /IndeksOnline/