Besnik Tahiri propozon tri prioritete për Komisionin e Legjislacionit: Ligjin për Deputetët, monitorimin e gjykatave dhe gjykatën antikorrupsion
Kreu i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka paraqitur tri propozime kyçe në Komisionin për Legjislacion, duke kërkuar përfshirjen e tyre në planin e punës së këtij komisioni parlamentar.
Tahiri ka propozuar monitorimin e funksionimit të Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Administrative. Qëllimi i këtij monitorimi është vlerësimi i rezultateve, sfidave dhe ndikimit të këtyre institucioneve në efikasitetin e sistemit të drejtësisë.
Propozimi i dytë lidhet me nisjen e hartimit të Ligjit për Deputetët. Ky ligj do të përcaktonte më qartë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e deputetëve, si dhe statusin dhe përfitimet e tyre gjatë dhe pas përfundimit të mandatit.
Ndërkaq, propozimi i tretë konsiston në shqyrtimin e mundësisë për themelimin e një gjykate të specializuar në luftën kundër korrupsionit. Për këtë çështje, Tahiri ka sugjeruar që Komisioni të realizojë një vizitë studimore në SPAK dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo vizitë do të shërbente për t’u njohur nga afër me përvojën shqiptare, procesin e themelimit të institucionit, sfidat dhe mundësitë që ofron ky model.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri theksoi se këto tri çështje janë thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të drejtësisë dhe avancimin e integritetit e llogaridhënies institucionale.
