Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, ka paralajmëruar protesta para zyrave të Bashkimit Evropian, nëse nisma për Gjykatën Speciale nuk konkretizohet. Ai e përshëndeti krijimin e grupit punues për këtë çështje, duke shprehur shpresën se në proces do të përfshihen të gjitha partitë politike, deputetët dhe ekspertët juridikë.

Në një intervistë për emisionin “Ditari” të Tëvë1, Gucati theksoi se formimi i grupit punues, megjithëse me vonesë, është një hap i rëndësishëm. Ai e vlerësoi iniciativën e kryeministrit Albin Kurti, duke e cilësuar çështjen e Gjykatës Speciale si një sfidë të madhe.

“Krijimi i këtij grupi punues është shumë i mirë. Është pak me vonesë, por përsëri shumë mirë që u bë, meqenëse gjendemi përballë një sfide të madhe dhe kemi një akuzë të rëndë për një kauzë mbarëkombëtare. Përshëndes kryeministrin Kurti që mori këtë nismë,” deklaroi Gucati. Ai shpreson që në këtë proces të angazhohen të gjitha partitë politike, deputetët dhe juristët, me qëllim shqyrtimin e veprimeve të mëtejshme juridike për Gjykatën Speciale.

Kreu i OVL-UÇK shprehu optimizëm se vendimet e shkallës së parë të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rrëzohen në Apel. “Gjithmonë duhet të jemi optimistë dhe të mos humbim shpresën. Ne jemi shumë optimistë se në Apel ky vendim do të rrëzohet,” tha Gucati. Ai kritikoi ashpër procesin gjyqësor të Gjykatës Speciale, duke pretenduar për lidhje të personave të përfshirë me Serbinë. Gucati e cilësoi si shqetësues numrin e dënimeve të shqiptuara ndër vite ndaj pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykata të ndryshme, duke përmendur një total prej 645 vitesh burgim.

Lidhur me zhvillimet politike në Kosovë, Gucati vuri në dukje rëndësinë e pajtimit të deputetëve për krijimin e grupit punues, si masë për të shmangur vonesat e mëtutjeshme institucionale. Ai përshëndeti miratimin e ligjit në Kuvend në të dyja leximet, pavarësisht zërave që dyshonin në mundësinë e kalimit të tij. “Kam dëgjuar shumë zëra që thoshin se ky ligj nuk do të mund të kalonte, por unë i përshëndes deputetët që votuan dhe shpresoj që ata të punojnë për çështjen e Gjykatës Speciale,” u shpreh ai.

Gucati kritikoi edhe reagimet e Bashkimit Evropian lidhur me Gjykatën Speciale, duke vënë në pikëpyetje mungesën e masave të BE-së ndaj kësaj gjykate, pavarësisht pretendimeve për shkelje procedurale. Ai theksoi pavarësinë e Kosovës, duke kërkuar që institucionet vendore të kenë autonominë për të trajtuar çështjet e brendshme. “E dimë që BE-ja na ka ndihmuar gjatë luftës dhe jemi mirënjohës, por tani të mos ndërhyjë në punët tona. Ne jemi shtet i pavarur,” deklaroi Gucati.

Në përfundim të intervistës, ai përsëriti paralajmërimin se OVL-UÇK do të organizojë protesta para zyrave të Bashkimit Evropian nëse nisma aktuale nuk konkretizohet. “Nëse nuk realizohet ky ligj, ne do të protestojmë para zyrave të BE-së, pasi ata nuk duan të na lejojnë të veprojmë,” përfundoi Gucati.