Tirana përshkohet nga protesta e dhunshme 8-orëshe: Dëme të konsiderueshme dhe përplasje me policinë
Kryeqyteti u përfshi për tetë orë në një protestë të dhunshme, e cila shkaktoi përplasje të ashpra me forcat e policisë dhe la pas dëme materiale të konsiderueshme në institucione, biznese dhe banka. Protestuesit u zhvendosën nga njëra pikë e qytetit në tjetrën, ndërsa policia ndërhyri në disa raste me ujë të presionit të lartë dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.
Dhuna nisi pranë Ministrisë së Arsimit, ku ndërtesa u sulmua me gurë dhe objekte të ndezura. Persona me fytyra të mbuluara shkulën kangjella rrugore, i grumbulluan përpara godinës dhe e goditën institucionin me gurë. Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit sulmuan dhe dëmtuan disa biznese private. Një bankë private u dogj dhe u shkatërrua plotësisht.
Protesta e dhunshme vijoi më pas drejt Sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit u vunë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave.
Një tjetër vatër dhune u shënua te Ministria e Ekonomisë. Protestuesit hynë në katin e parë të ndërtesës, duke shkulur dyer, thyer xhama dhe nxjerrë orenditë jashtë. Sulmet prekën edhe Ministrinë e Brendshme, ku u dëmtua fasada dhe u thyen xhamat.
Më pas, protestuesit u ndanë në dy grupime, njëri në Sheshin “Skënderbej” dhe tjetri pranë Ministrisë së Ekonomisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u sulmuan ndërtesat përgjatë tij. Dëmtime pati edhe te Piramida e Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkatërruan e u dogjën pjesë të ambienteve. Edhe në këtë zonë u sulmua një tjetër bankë private.
Protestuesit vijuan drejt Kryeministrisë, ku u dogjën pemët në hyrjen anësore të godinës. Protesta e dhunshme u zhvendos edhe te ndërtesa e Kryesisë së Kuvendit, ku protestuesit sulmuan godinën dhe tentuan të futeshin brenda. Më pas, ata shkatërruan dhe dogjën bizneset që ndodhen në katin e parë të dy godinave të njohura si “Kullat Binjake”.
Gjatë tetë orëve të protestës, policia ndërhyri në disa prej vatrave të tensionit, duke përdorur autobotë me ujë të presionit të lartë dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur dhe shpërndarë protestuesit.
