Ambasada Amerikane paralajmëron shtetasit për dhunë gjatë protestës në Tiranë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për shtetasit e saj, pas përplasjeve të regjistruara pasditen e së mërkurës. Ngjarjet ndodhën gjatë një proteste që nisi në Rrugën e Durrësit dhe u zhvendos më pas para Kryeministrisë.
Në njoftimin e saj, ambasada thekson se protesta pranë Sheshit Skënderbej është përshkallëzuar në dhunë, me raportime për hedhje gurësh.
Sipas ambasadës, ka rrezik që protesta të shtrihet edhe në blloqet dhe ndërtesat qeveritare përreth. Kjo mund të rezultojë në rritje të pranisë policore, pengesa në trafik, devijime dhe mbyllje rrugësh.
Personeli i ambasadës është udhëzuar të shmangë demonstratat, ndërsa shtetasve amerikanë u bëhet thirrje të qëndrojnë vigjilentë dhe t’i japin përparësi sigurisë personale.
Ata këshillohen gjithashtu të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve të zbatimit të ligjit për t’u informuar mbi zhvillimet më të fundit.
