Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen atje. Begaj ka thënë se ai ka ndjekur ato, kërkesat por edhe aktet e dhunës, duke theksuar se ‘’dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja’’.

Begaj, përmes një video-adresimi, ka shtuar edhe se, Shqipëria ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog, përcjell Gazeta Express.

Presidenti shqiptar, ka deklaruar edhe se ai është i hapur ”për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi”.

‘’Të dashur qytetarë, Shqipëria është e të gjithëve. Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës të dy ditëve të fundit. Zëri i çdo qytetari, meriton të dëgjohet, veçanërisht i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta vërë dhe as nuk mund ta vë askush në diskutim, por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe, polarizon bashkëjetesën demokratike.

Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin që të dëgjojmë njëri tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe Shqipërisë.

U bëj thirrje të gjithëve, të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën, dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në punën e tyre tejet delikate, dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues. Me përgjegjësinë dhe tagrat që me jep kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi. Sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimi në të mirë të rinisë në të mirë të Shqipërisë’’, ka thënë ai.