Policia katalanase ka arrestuar një grup kriminal, i dyshuar për një seri grabitjesh në shtëpitë e futbollistëve të Barcelonës dhe rezidenca të tjera luksoze në Spanjë.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, në mesin e të arrestuarve është edhe një 58-vjeçar nga Kosova, i identifikuar si Arsim Blaku, i cili dyshohet se ishte një nga personat kryesorë të grupit kriminal.

Blaku dyshohet se ka qenë i përfshirë në grabitjen e shtëpisë së mbrojtësit të Barcelonës, Pau Cubarsí, në dhjetor të vitit 2025, si dhe në atë të portierit Joan García, në janar të këtij viti, shkruan Indeksonline.

Përveç këtyre rasteve, ai dyshohet se ka kryer edhe grabitje të tjera në rezidenca luksoze, ndërsa policia e kishte vëzhguar edhe pranë shtëpisë së futbollistit Jules Koundé.

Sipas të përditshmes spanjolle “La Vanguardia”, hetuesit arritën të identifikonin të dyshuarit pas marrjes së informacioneve konfidenciale, sipas të cilave një person po mburrej se kishte vjedhur ora luksoze nga futbollistët e Barcelonës dhe po kërkonte t’i shiste ato në tregun e zi.

I dyshuari nga Kosova ishte larguar nga Spanja në vitin 2022, por ishte kthyer në nëntor të vitit 2025, sipas raportimeve të mediave spanjolle.

Emri i tij ishte përmendur edhe në një rast të bujshëm të vitit 2006, kur një tentim grabitjeje në shtëpinë e familjes Tous përfundoi me vdekjen e njërit prej bashkëpunëtorëve të grupit.

Në kuadër të operacionit policor janë ndaluar edhe persona të tjerë, të dyshuar për ndihmë në vëzhgimin e rezidencave, drejtimin e automjeteve dhe organizimin logjistik të grabitjeve.

Autoritetet spanjolle po hetojnë rastin për të zbardhur të gjitha veprimet e dyshuara të grupit kriminal. /IndeksOnline/