Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas përshkallëzimit të protestave në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe duke bërë thirrje për qetësi, maturi dhe dialog.
Në një mesazh drejtuar qytetarëve, kreu i shtetit thekson se çdo zë meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, por nënvizon se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje, raporton Euronewsalbania.
Begaj u ka bërë thirrje protestuesve dhe të gjithë aktorëve të përfshirë të shmangin përplasjet, të ruajnë stabilitetin e vendit dhe të angazhohen në dialog në interes të Shqipërisë.
Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Shqipëria është atdheu ynë i përbashkët. Ajo është shtëpia e të gjithëve.
Kam ndjekur protestat, kërkesat, por me keqardhje edhe aktet e dhunës së dy ditëve të fundit.
Zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht zëri i të rinjve, të cilët përfaqësojnë shpresën dhe të ardhmen e vendit tonë. Këtë s’mund ta verë dhe nuk e vë askush në diskutim.
Por dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zgjidhja. Ajo dëmton shoqërinë, cenon sigurinë e qytetarëve dhe polarizon bashkëjetesën demokratike.
Në këto momente, vendi ynë ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog. Ka nevojë që dallimet të mos na përçajnë, por të na nxisin të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë zgjidhje në interes të qytetarëve dhe të Shqipërisë.
U bëj thirrje të gjithëve të zgjedhin maturinë, të shmangin dhunën dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit. Inkurajoj forcat e rendit në detyrën e tyre tejet delikate dhe uroj shërim të shpejtë për çdo të lënduar, polic apo protestues.
Me përgjegjësinë dhe tagrat që më jep Kushtetuta, mbetem i hapur për këdo që dëshiron të ketë një hapësirë dialogu dhe mirëkuptimi sikurse i bëj thirrje aktorëve të përfshirë t’i përkushtohen dialogut dhe bashkëpunimit, në të mirë të rinisë, në të mirë të Shqipërisë.
