Jesse Eisenberg është një nga aktorët më të veçantë të brezit të tij, i njohur për interpretimin e personazheve inteligjentë, nervozë, të ndrojtur dhe shpesh të vështirë për t’u kuptuar.

Me një karrierë që përfshin drama psikologjike, komedi të zeza dhe filma të suksesshëm të Hollywoodit, aktori amerikan ka ndërtuar një identitet të dallueshëm artistik. Me rastin e prezantimit të filmit të tij të ri “The Debut”, i cili mbyll Festivalin e Filmit në Londër, kritiku i gazetës britanike “The Guardian” ka përzgjedhur dhjetë interpretimet më të mira të karrierës së tij.

Nga roli i themeluesit të Facebookut, Mark Zuckerberg, te personazhet e pasigurt që përballen me dashurinë, vetminë dhe presionin shoqëror, Eisenberg ka dëshmuar aftësinë për t’i shndërruar karakteret në dukje të zakonshme në figura komplekse dhe të paharrueshme.

Edhe kur luan personazhe të ngjashme në pamje të parë, ai arrin t’u japë atyre dimensione të ndryshme, duke ndërthurur humorin, ndjeshmërinë dhe tensionin psikologjik.

Këto janë dhjetë interpretimet e tij më të spikatura, të renditura nga vendi i dhjetë deri te ai që konsiderohet kulmi i karrierës së tij.

10. The Double (2013)

Regjia: Richard Ayoade

Në këtë adaptim të novelës së Fjodor Dostojevskit, Jesse Eisenberg përballet me një nga sfidat më interesante të aktrimit: interpretimin e dy personazheve identike në pamje, por krejtësisht të ndryshme në personalitet.

Ai luan Simonin, një programues kompjuterësh të ndrojtur dhe të pasigurt, i cili jeton në një botë të zymtë dhe shtypëse.

Simoni ndihet i padukshëm në vendin e punës dhe është marrëzisht i dashuruar me kolegen e tij Hannah, të interpretuar nga Mia Wasikowska.

Gjithçka ndryshon kur shfaqet James, një burrë që duket saktësisht si ai.

Ndryshe nga Simoni, James është karizmatik, i sigurt në vetvete dhe ambicioz. Ai fiton menjëherë simpatinë e eprorëve dhe tërheq vëmendjen e Hannahs.

Eisenberg arrin t’i dallojë bindshëm dy personazhet pa rënë në ekzagjerime, duke krijuar një interpretim elegant dhe psikologjikisht të pasur.

Filmi eksploron identitetin, vetëvlerësimin dhe frikën nga zëvendësimi, ndërsa aktori dëshmon se mund të ndërtojë dy personalitete të kundërta brenda së njëjtës histori.

9. The Squid and the Whale (2005)

Regjia: Noah Baumbach

Në dramën me elemente të komedisë së zezë të Noah Baumbach, Eisenberg interpreton Waltin, një adoleshent 16-vjeçar që përpiqet të përballojë divorcin e prindërve.

Historia mbështetet pjesërisht në përvojat personale të regjisorit dhe paraqet një familje intelektualësh që po shpërbëhet emocionalisht.

Babai i Waltit, i interpretuar nga Jeff Daniels, është një shkrimtar që ka humbur suksesin e dikurshëm dhe punon si profesor i shkrimit krijues.

Ndërkohë, nëna e tij, e luajtur nga Laura Linney, po fiton gjithnjë e më shumë sukses në karrierën letrare, duke nxitur xhelozinë dhe pasiguritë e bashkëshortit.

Walt ka trashëguar shumë prej sjelljeve arrogante dhe mendjemadhësisë së babait.

Ai sillet si një intelektual i parakohshëm, duke u përpjekur të duket më i pjekur dhe më i ditur sesa është në të vërtetë.

Interpretimi i Eisenberg është veçanërisht interesant sepse personazhi nuk është gjithmonë simpatik.

Megjithatë, pas arrogancës dhe vetëbesimit të rremë shfaqet një adoleshent i brishtë, i cili po përballet me humbjen e sigurisë familjare.

8. Roger Dodger (2002)

Regjia: Dylan Kidd

“Roger Dodger” shënoi debutimin e Jesse Eisenberg në një film artistik me metrazh të gjatë dhe prezantoi tiparet që më vonë do të bëheshin karakteristike për shumë prej roleve të tij.

Aktori, në atë kohë adoleshent, interpreton Nickun, një nxënës të shkollës së mesme që ndihet i pasigurt për mungesën e përvojës së tij romantike dhe seksuale.

Për të marrë këshilla, ai i drejtohet xhaxhait të tij Roger, të interpretuar nga Campbell Scott.

Roger është një burrë cinik, manipulues dhe i bindur se i kupton marrëdhëniet mes burrave dhe grave.

Pas një ndarjeje sentimentale, ai e merr nipin në një udhëtim nëpër lokalet e Manhattanit, duke u përpjekur t’i mësojë mënyrat e tij të joshjes.

Por ndërsa Roger shfaqet gjithnjë e më arrogant dhe përçmues ndaj grave, Nick ruan një ndjeshmëri dhe sinqeritet që e bëjnë më të pëlqyeshëm.

Eisenberg sjell një interpretim të natyrshëm, ku pafajësia, kurioziteti dhe vetëdija për dobësitë personale ndërthuren në mënyrë bindëse.

Ky rol vendosi bazat e identitetit të tij të mëvonshëm kinematografik.

7. Adventureland (2009)

Regjia: Greg Mottola

Në këtë komedi romantike për kalimin drejt pjekurisë, Eisenberg interpreton Jamesin, një të ri që sapo ka përfunduar studimet universitare dhe beson se është gati të fillojë një kapitull të ri në jetë.

Megjithatë, realiteti rezulton shumë më i ndërlikuar nga sa kishte imagjinuar.

Për të siguruar para për studimet pasuniversitare, ai detyrohet të punojë gjatë verës në një park argëtimi të vjetruar, të quajtur Adventureland.

James është inteligjent dhe i arsimuar, por shumë i papërvojë në marrëdhëniet romantike.

Pikërisht në këtë park ai njihet me një kolege, të interpretuar nga Kristen Stewart, ndaj së cilës fillon të zhvillojë ndjenja.

Filmi trajton pasiguritë e rinisë, dashurinë e parë, zhgënjimet dhe kalimin nga idealizmi drejt realitetit të jetës së rritur.

Eisenberg e portretizon personazhin me një ndërthurje të humorit të përmbajtur dhe ndjeshmërisë, duke e bërë një nga interpretimet më të dashura të karrierës së tij të hershme.

6. Sasquatch Sunset (2024)

Regjia: David dhe Nathan Zellner

Ky është padyshim një nga projektet më të pazakonta të karrierës së Jesse Eisenberg.

Në “Sasquatch Sunset”, aktori shfaqet i mbuluar plotësisht me kostum dhe grim, duke interpretuar një krijesë mitike të ngjashme me Bigfoot, të njohur si Sasquatch.

Filmi ndjek katër krijesa të tilla që enden në natyrën e egër të Kalifornisë Veriore.

Historia zhvillohet pa dialogë tradicionalë, ndërsa personazhet komunikojnë përmes tingujve, gjesteve dhe lëvizjeve trupore.

Mbetet e paqartë nëse krijesat janë mbijetuesit e fundit të një katastrofe të shkaktuar nga njerëzit apo thjesht një specie që jeton e izoluar nga qytetërimi.

Eisenberg interpreton një mashkull më të tërhequr dhe më pak dominues krahasuar me udhëheqësin e grupit.

Roli kërkon që aktori të heqë dorë nga një prej mjeteve të tij më të fuqishme të interpretimit: dialogu i shpejtë dhe nervoz.

Në vend të tij, ai mbështetet te gjuha trupore dhe shprehja fizike për të ndërtuar karakterin.

Rezultati është një interpretim eksperimental, që e vendos Eisenberg në një territor krejtësisht të ndryshëm artistik.

5. Café Society (2016)

Regjia: Woody Allen

Jesse Eisenberg është një nga aktorët që përshtaten natyrshëm me stilin e dialogut dhe humorit të Woody Allen.

Në “Café Society”, ai interpreton Bobby Dorfmanin, një të ri nervoz dhe romantik që largohet nga New Yorku drejt Los Angelesit gjatë viteve 1930.

Atje, ai siguron një punë falë xhaxhait të tij, një agjent të fuqishëm të industrisë së filmit.

Bobby përfshihet në botën joshëse të Hollywoodit, por shumë shpejt përballet me ndërlikime sentimentale.

Më vonë, ai rikthehet në New York dhe fillon të punojë në një klub nate të drejtuar nga vëllai i tij.

Gjatë historisë, personazhi kalon nga një i ri i pasigurt në një burrë më të pjekur dhe më elegant, i cili megjithatë vazhdon të mbajë plagët e një dashurie të parealizuar.

Eisenberg sjell një interpretim që të kujton personazhet klasikë të Woody Allen, por arrin t’i japë edhe karakteristikat e tij personale.

Roli është veçanërisht interesant për mënyrën se si paraqet transformimin emocional të personazhit.

4. Zombieland (2009)

Regjia: Ruben Fleischer

Në të njëjtin vit kur u shfaq në “Adventureland”, Jesse Eisenberg luajti edhe në një prej komedive më të suksesshme me zombie.

Në “Zombieland”, ai interpreton Columbusin, një të ri inteligjent, të ndrojtur dhe të mbushur me frikëra, i cili përpiqet të mbijetojë në një botë të pushtuar nga zombie.

Për të qëndruar gjallë, Columbus ka krijuar një sistem të detajuar rregullash që duhet të ndjekë në çdo situatë.

Gjatë udhëtimit, ai bashkohet me Tallahasseen, një burrë energjik dhe agresiv, të interpretuar nga Woody Harrelson.

Dy personazhet kanë temperamente krejtësisht të kundërta, gjë që krijon disa nga momentet më komike të filmit.

Situata ndërlikohet kur grupit i bashkohen dy vajza, njëra prej të cilave interpretohet nga Emma Stone.

Columbus fillon të zhvillojë ndjenja romantike, por sjellja imponuese e Tallahasseet shpesh i prish përpjekjet për t’u afruar me vajzën.

Një nga momentet më argëtuese është shpërthimi i zemërimit të Columbusit ndaj shokut të tij, të cilin e akuzon se po i shkatërron vazhdimisht mundësitë romantike.

Filmi dëshmoi se Eisenberg mund të ishte bindës edhe në komedi të mëdha komerciale, duke ruajtur tiparet e tij karakteristike.

Ai e përsëriti rolin dhjetë vjet më vonë në vazhdimin “Zombieland: Double Tap”, megjithëse filmi i dytë nuk arriti të fitonte të njëjtin vlerësim kritik.

3. The Art of Self-Defense (2019)

Regjia: Riley Stearns

Në këtë komedi të zezë psikologjike, Jesse Eisenberg eksploron një anë më të errët të personazheve që zakonisht interpreton.

Ai luan Caseyn, një punonjës zyre të vetmuar dhe të pasigurt, i cili sulmohet brutalisht nga një grup motoçiklistësh.

I traumatizuar nga ngjarja, Casey vendos të regjistrohet në një kurs karateje për të mësuar të mbrohet.

Atje, ai njihet me një instruktor karizmatik, të interpretuar nga Alessandro Nivola.

Fillimisht, stërvitja duket se i jep Caseyt vetëbesimin që i ka munguar gjithmonë.

Por gradualisht, kërkesat e instruktorit bëhen gjithnjë e më shqetësuese, duke e futur personazhin në një botë të dominuar nga dhuna, autoritarizmi dhe një koncept toksik i maskulinitetit.

Filmi ngre pyetje për mënyrën se si pasiguria dhe frika mund të shndërrohen në agresivitet.

Eisenberg jep një interpretim të veçantë, duke treguar se personazhi i tij i zakonshëm, i ndrojtur dhe intelektual, mund të marrë një drejtim shumë më të rrezikshëm.

Roli konsiderohet një nga eksperimentet më të suksesshme të karrierës së tij.

2. A Real Pain (2024)

Regjia: Jesse Eisenberg

“A Real Pain” është një nga arritjet më të rëndësishme artistike të Jesse Eisenberg, jo vetëm si aktor, por edhe si regjisor dhe skenarist.

Filmi ndjek historinë e dy kushërinjve amerikanë, David dhe Benji, të cilët udhëtojnë drejt Polonisë për të vizituar vendlindjen e gjyshes së tyre të ndjerë, një e mbijetuar e Holokaustit.

Eisenberg interpreton Davidin, një burrë të disiplinuar, të përmbajtur dhe shpesh të tensionuar.

Në anën tjetër, Kieran Culkin luan Benjin, një personazh spontan, emocional dhe të paparashikueshëm.

Dy kushërinjtë kanë personalitete krejtësisht të ndryshme, por udhëtimi i tyre shndërrohet në një përballje me kujtesën familjare, traumën historike dhe marrëdhënien mes tyre.

Megjithëse Culkin merr pjesën më të madhe të vëmendjes dramatike, interpretimi i Eisenberg është thelbësor për ekuilibrin emocional të filmit.

Davidi shërben si kundërpeshë ndaj natyrës impulsive të Benjit dhe i jep rrëfimit strukturë dhe ndjeshmëri.

Filmi ka edhe një dimension personal për Eisenberg, i cili ka lidhje familjare me Poloninë dhe ka marrë shtetësinë polake.

“A Real Pain” konsiderohet një nga realizimet më të pjekura të tij, duke dëshmuar aftësinë për të ndërthurur humorin, dhimbjen dhe reflektimin mbi historinë.

1. The Social Network (2010)

Regjia: David Fincher

Në vendin e parë renditet filmi që e shndërroi Jesse Eisenberg në një yll ndërkombëtar dhe përcaktoi një etapë të rëndësishme të karrierës së tij.

Në “The Social Network”, ai interpreton Mark Zuckerberg, studentin e Harvardit që në vitin 2004 krijoi Facebookun, platformën që më vonë do të ndryshonte mënyrën se si njerëzit komunikojnë në mbarë botën.

Përzgjedhja e Eisenberg për këtë rol konsiderohet një nga vendimet më të suksesshme të kastit në kinemanë moderne.

Tiparet që e kishin karakterizuar aktorin në filmat e mëparshëm, si nervozizmi, inteligjenca, vështirësitë në komunikimin shoqëror dhe mungesa e sigurisë emocionale, këtu shndërrohen në elementet kryesore të personazhit.

Por ndryshe nga rolet e tij të mëparshme, ku pasiguria shpesh paraqitej si një dobësi që duhej kapërcyer, në “The Social Network” ajo bëhet pjesë e forcës dhe ambicies së protagonistit.

Zuckerberg i Eisenberg është brilant, arrogant, obsesiv dhe shpesh i padurueshëm.

Ai është vazhdimisht i bindur për epërsinë e tij intelektuale dhe refuzon të pranojë se mund të gabojë.

Dialogët e shpejtë dhe të mprehtë të skenaristit Aaron Sorkin i japin aktorit mundësinë të shfaqë një kontroll të jashtëzakonshëm mbi ritmin dhe tensionin e interpretimit.

Në çdo përballje verbale, personazhi përdor inteligjencën si armë, duke sulmuar kundërshtarët me ironi dhe komente therëse.

Interpretimi është aq bindës sa ndikoi fuqishëm në mënyrën se si një brez i tërë shikuesish e imagjinonte personalitetin e vërtetë të Mark Zuckerberg, megjithëse filmi mbetet një dramatizim artistik dhe jo një portretizim dokumentar.

Roli i solli Eisenberg një nominim për çmimin Oscar dhe e vendosi mes aktorëve më të kërkuar të Hollywoodit.

Suksesi i hapi rrugën pjesëmarrjes në projekte të mëdha, përfshirë interpretimin e Lex Luthor në filmat e universit DC, si “Batman v Superman: Dawn of Justice” dhe “Zack Snyder’s Justice League”.

Ai gjithashtu mori rolin e iluzionistit J. Daniel Atlas në serinë e filmave “Now You See Me”.

Megjithatë, sipas renditjes së “The Guardian”, asnjë prej këtyre roleve nuk ka arritur të përsërisë intensitetin, zgjuarsinë dhe kompleksitetin e interpretimit të tij si Zuckerberg.

“The Social Network” mbetet një nga portretizimet më të spikatura të një figure bashkëkohore në kinemanë amerikane.

Një aktor që e ka kthyer pasigurinë në forcën e tij më të madhe

Karriera e Jesse Eisenberg dëshmon se suksesi në aktrim nuk kërkon domosdoshmërisht interpretimin e heronjve tradicionalë, personazheve fizikisht imponues apo figurave që dominojnë çdo situatë.

Përkundrazi, Eisenberg ka ndërtuar identitetin e tij artistik duke interpretuar njerëz të pasigurt, intelektualë, emocionalisht të ndërlikuar dhe shpesh të papërshtatur me botën që i rrethon.

Nga debutimi në “Roger Dodger” te dramat familjare si “The Squid and the Whale”, nga komeditë e errëta deri te arritjet regjisoriale me “A Real Pain”, ai ka treguar aftësi për të zbuluar dimensione të ndryshme të karaktereve njerëzore.

Me “The Social Network”, aktori e shndërroi këtë stil interpretimi në një nga performancat më të rëndësishme të brezit të tij.

Ndërsa vazhdon të zhvillohet si aktor, skenarist dhe regjisor, Jesse Eisenberg mbetet një nga zërat më të dallueshëm të kinemasë amerikane bashkëkohore, duke dëshmuar se ndonjëherë personazhet më të ndërlikuara dhe më të paharrueshme janë pikërisht ata që nuk ndihen kurrë plotësisht rehat me veten. /GazetaExpress/