**Rama: Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” në rrezik serioz për shkak të mosveprimit të Qeverisë**
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka dhënë alarmin se Kosova rrezikon të humbasë të drejtën për të organizuar Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Sipas Ramës, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka ngritur shqetësime të thella për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe vonesat e shumta në procesin përgatitor, duke fajësuar direkt Qeverinë e Kosovës për këtë situatë, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për media, Rama theksoi se ICMG-ja, përmes një letre zyrtare të dërguar më 15 tetor, ka paralajmëruar për vonesat dhe mungesën e përmbushjes së detyrimeve. Ai shtoi se kjo nuk është letra e parë, por një vazhdimësi e paralajmërimeve të nisura muaj më parë, të cilat, fatkeqësisht, nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga qeveria.
“ICMG vëren se letra e datës 21 shtator ka mbetur pa përgjigje. Garancia bankare apo ajo e sigurimit, e kërkuar që nga janari, nuk është dorëzuar, dhe detyrimet financiare që duhej të përmbusheshin në qershor, nuk janë paguar. Për më tepër, afatet për funksionalizimin e strukturave organizative, përgatitjen e masterplanit, buxhetit dhe proceseve të tjera janë shkelur vazhdimisht,” tha Rama.
Kryetari i Prishtinës akuzoi Qeverinë e Kosovës për mungesë koordinimi dhe mosreagim ndaj kërkesave të kryeqytetit për mbledhjen e bordit drejtues. Ai theksoi se kryeministri Albin Kurti, si kryesues i këtij bordi, ka përgjegjësinë për thirrjen e mbledhjeve. Sipas Ramës, që nga mbledhja e 14 gushtit nuk është thirrur asnjë takim tjetër i bordit, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Komuna e Prishtinës.
Rama zbuloi se më 30 shtator, duke parë seriozitetin e situatës, kryeqyteti ndërmori iniciativën për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme më 8 tetor. Megjithatë, kjo mbledhje nuk u realizua pasi përfaqësuesit e qeverisë dhe Komitetit Olimpik të Kosovës nuk iu përgjigjën ftesës për nënshkrim, edhe pse sipas statutit kërkoheshin të paktën pesë nënshkrime nga 13 anëtarët e bordit, ku tre përfaqësuesit e kryeqytetit kishin nënshkruar kërkesën.
Në anën tjetër, Rama theksoi se Komuna e Prishtinës ka përmbushur një sërë angazhimesh konkrete. Së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës, është miratuar statusi i komitetit organizativ më 8 qershor dhe është përfunduar procesi i regjistrimit të organizatës më 24 qershor. Kemi propozuar pesë porte urbane, të cilat janë miratuar nga ICMG-ja më 29 qershor. Po ashtu, janë paraqitur në Kuvendin Komunal propozimet për lokacionet sportive.
Rama i atriboi një pjesë të vonesave dy kërkesave të kryeministrit Kurti: ndryshimi i emrit të ngjarjes nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”, kërkesë e cila nuk është aprovuar pasi Lojërat Mesdhetare në mbarë botën mbajnë emrin e qytetit; si dhe insistimi i tij që kryeministri të jetë kryetar i bordit drejtues, praktikë, sipas Ramës, e paparë diku tjetër. “Dy vjet i kemi humbur për shkak të këtyre kërkesave,” theksoi ai.
Kryetari i Prishtinës paralajmëroi se ICMG ka vendosur afate të reja për përmbushjen e detyrimeve, duke theksuar se më 19 dhjetor 2026 do të shqyrtohet e ardhmja e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
“Nuk kemi kohë për vonesa, as për mungesë koordinimi, e as për heshtje institucionale. Lojërat Mesdhetare nuk janë projekt i vetëm i një individi, partie apo institucioni, por një angazhim ndërkombëtar i Republikës së Kosovës dhe një mundësi historike për zhvillimin e sportit, infrastrukturës, ekonomisë dhe promovimit të vendit tonë,” deklaroi Rama.
Ai kërkoi përgjegjësi nga institucionet përkatëse, duke ngritur pyetje thelbësore: “Pse nuk janë përmbushur detyrimet financiare? Pse nuk është dërguar garancia e kërkuar? Pse nuk janë thirrur mbledhjet e bordit drejtues? Dhe kush do ta marrë përgjegjësinë nëse Kosova e humb këtë mundësi historike?” Rama bëri thirrje për veprim urgjent, duke theksuar se Prishtina ka përmbushur detyrat e saj, por qeveria nuk ka kthyer asnjë e-mail dhe nuk ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura nga ICMG.
