Tetë raste të shtatzënisë përmes fertilizimit të asistuar (IVF) janë konfirmuar deri më tani në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, që nga ofrimi i këtij shërbimi të ri. Dy raste janë konfirmuar sot.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, ka thënë për Indeksonline se rezultatet e deritashme janë inkurajuese dhe se suksesi i arritur është përtej pritshmërive, duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një shërbim të ri.
“Deri tani janë tetë raste të shtatzënive të konfirmuara me IVF në klinikën tonë. Është sukses shumë i madh dhe dëshmi se IVF-ja si shërbim po ecën shumë mirë dhe po ka sukses. Duke pasur parasysh se është shërbim i ri, suksesi i rasteve është përtej pritshmërive”, ka deklaruar Ndrejaj.
Ai ka bërë të ditur se çdo javë zhvillohen konsulta dhe kontrolle me çifte që kanë probleme me infertilitetin, ndërsa koha e pritjes dhe fillimi i procedurës së IVF-së varen nga problematikat shëndetësore të secilit çift.
Sipas tij, te disa pacientë procedura mund të fillojë më shpejt, ndërsa te të tjerët nevojiten disa javë përgatitje dhe trajtim paraprak.
Ndrejaj ka bërë të ditur se deri më tani mbi 2,600 pacientë kanë kryer konsulta në klinikë për shkak të problemeve me infertilitetin.
“Mbi 2,600 pacientë kanë qenë në konsulta, të cilët kanë probleme me infertilitetin. Kërkesat janë të mëdha, mirëpo jo të gjithë i nënshtrohen procedurës së IVF-së. Disa kanë nevojë për trajtim kirurgjik, si për shembull prania në organet e brendshme gjenitale e ndonjë tumori apo mase tjetër patologjike, ku kërkohet largimi kirurgjik i tyre. Këto raste zgjasin pak më shumë deri te fillimi i procedurave të IVF-së”, ka thënë Ndrejaj.
Ndrejaj thotë se problematikat janë të ndryshme dhe rasti nga rasti ndryshon për trajtim. /Indeksonline/
