**Mikel Merino: “Jam me fat që jam gjallë”, kujton sulmin që tronditi Dortmundin dhe rikthimin heroik**

Mesfushori i Arsenalit, Mikel Merino, ka rrëfyer për një nga çastet më të frikshme të jetës së tij, duke zbuluar se një ndryshim i minutës së fundit të vendit të tij në autobusin e Borussia Dortmundit mund t’ia ketë shpëtuar jetën në vitin 2017.

Spanjolli ishte vetëm 20 vjeç kur autobusi i Dortmundit u sulmua me lëndë shpërthyese, ndërsa skuadra po shkonte drejt stadiumit për ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Monacos. Tri bomba, të mbushura me kunja metalike dhe të vendosura pranë rrugës, shpërthyen në momentin kur autobusi kaloi pranë tyre.

Një copë e madhe metali përfundoi në mbështetësen e ulëses ku Merino zakonisht ulej. Megjithatë, ai kishte zgjedhur të ulej diku tjetër, për shkak të një shqetësimi në këmbë.

“Vendet në pjesën e përparme të autobusit kishin mbështetëse që mund të lëshoheshin, ndaj u ula atje. Kjo mund të ma ketë shpëtuar jetën. Mendoj se kam një engjëll mbi supe. Jam me të vërtetë me fat që jam gjallë”, ka rrëfyer Merino për “The Players’ Tribune”.

Futbollisti kujtoi zhurmën e fuqishme të shpërthimit, tymin, gjakun në dysheme dhe britmat e të pranishmëve. Pas sulmit, ai shkoi në spital për të pritur bashkëlojtarin Marc Bartra, i cili kishte pësuar frakturë në kyçin e dorës dhe iu nënshtrua një operacioni.

Për sulmin, në vitin 2018 u dënua me burg Sergei Wenergold, i cili kishte pranuar përgjegjësinë për ngjarjen. Ndeshja kundër Monacos u zhvillua një ditë më vonë.

Merino zbuloi gjithashtu se si e përdori atë përvojë traumatike si burim force gjatë rikuperimit nga një frakturë stresi në këmbën e djathtë, të cilën e pësoi në shkurt. Mjekët i kishin thënë se do t’i duheshin rreth gjashtë muaj për t’u rikthyer, por Kupa e Botës me Spanjën ishte vetëm katër muaj larg.

“Kur ia tregova gruas sime, Lolës, atëherë emocionet më pushtuan. Mendja ime e kishte kuptuar tashmë, por zemra duhej ta dëgjonte me zë të lartë”, tha ai.

Mesfushori vendosi të bënte gjithçka për të qenë pjesë e Spanjës në Kupën e Botës. Për këtë arsye, ai pranoi edhe vendosjen e dy vidave në këmbë për të përforcuar kockën.

Merino madje pati një përplasje me trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta, dhe stafin mjekësor, pasi synonte të rikthehej sa më shpejt. Ai luajti 30 minuta kundër Crystal Palace më 24 maj, vetëm një ditë para se përzgjedhësi Luis de la Fuente të shpallte listën e Spanjës për Kupën e Botës.

“Zero minuta në katër muaj. Si mund ta ftoje një lojtar të tillë?”, kujtoi Merino, duke shpjeguar dyshimet që kishte për mundësinë e përzgjedhjes.

Megjithatë, emri i tij u përfshi në listë dhe mesfushori përjetoi një rikthim të jashtëzakonshëm, duke kaluar nga frika se mund ta humbiste Kupën e Botës, drejt ngritjes së trofeut me Spanjën vetëm disa muaj më vonë.