Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka zgjedhur të buzëqeshë dhe të heshtë përpara se të japë një përgjigje evazive, kur u pyet nëse po përdorej si “kokë turku” për problemet e brendshme të ish-Presidentit amerikan Donald Trump. Kjo vjen mes tensioneve të reja mes dy udhëheqësve.

Donald Trump, ish-Presidenti i SHBA-së, ka rikthyer kritikat e tij të ashpra ndaj Zelenskyyt, duke deklaruar se udhëheqësi ukrainas është “më i vështirë për t’u trajtuar sesa [Presidenti rus Vladimir] Putin”.

Trump, i cili së fundmi arriti një marrëveshje të diskutueshme me Moskën për importimin e naftës dizel në tregun amerikan, e cilësoi si “turp” valën e re të sulmeve të Ukrainës ndaj rafinerive ruse të naftës.

Zelenskyy i kishte pezulluar sulmet për tri ditë, me kërkesë të Trumpit për një armëpushim që do të përfshinte objektivat energjetike. Megjithatë, të enjten, ai theksoi se sulmet do të rifillonin, pasi Moska nuk i kishte ndalur kurrë ato.

Për shkak të marrëdhënieve sërish të tensionuara, Zelenskyyt iu drejtua një pyetje nga Sky News: “A nuk mendoni se Trump po ju bën ‘kokë turku’ për të gjitha problemet e tij, përpara zgjedhjeve të vështira të mesmandatit?”.

Në përgjigje, Zelenskyy heshti për 15 sekonda dhe më pas buzëqeshi, para se të thoshte: “Kjo është përgjigja ime.”

Presidenti ukrainas ndodhet aktualisht në Bruksel, ku po merr pjesë në një takim të Këshillit Evropian dhe po zhvillon bisedime me partnerët.