Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar analizë të veçantë për mënyrën se si u arrit marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës presidente.
Lushaku-Sadriu e ka përshëndetur zgjedhjen e presidentes, por ka vënë në pikëpyetje arsyet pse kompromisi u arrit vetëm pak minuta para përfundimit të afatit kushtetues.
“Është për t’u përshëndetur zgjedhja e presidentes, por në anën tjetër duhet të bëhet një analizë e veçantë se pse arriti një marrëveshje disa minuta para se të përfundonte afati kushtetues. A kaq i pamundshëm ishte kompromisi?”, ka deklaruar ajo në Rubikon të Klan Kosovës.
Lushaku-Sadriu ka pyetur pse LVV-ja dhe PDK-ja nuk arritën marrëveshje më herët, por sipas saj u detyrua që vendi të shkoj në zgjedhje pikërisht për shkak të pamundësisë për ta zgjedhur presidentin.
“Për aq kohë sa ka qenë i mundshëm kompromisi mes PDK-së dhe LVV-së, pse nuk ndodhi më herët? Ne e kemi ditur edhe me vite e muaj më herët. Madje, shkuam në zgjedhje pikërisht për shkak të pamundësisë së zgjedhjes së presidentit. Pse këto dy parti, kur kanë pasur vullnet për ta gjetur një kompromis pse nuk e bënë më herët, që të mos detyrohej Kosova të shkonte në zgjedhje edhe të hynim në kriza politike”, është shprehur ajo.
Sipas shefes së Grupit Parlamentar të LDK-së, partitë politike duhet ta kuptojnë më mirë përgjegjësinë shtetërore dhe të tregojnë vullnet për kompromis.
“Kur ke përgjegjësi duhet të kesh edhe vullnet për të ardhur te kompromisi. Kompromisi është elementare në politikë, duhet me u mësu edhe Vetëvendosja edhe PDK-ja në këtë rast se arritën kompromisin në minutat e fundit ky parim duhet me qenë parim bazë në funksionimin e politikës”, ka përfunduar Lushaku-Sadriu.
