Interi ka marrë një tjetër lajm të keq sa i përket gjendjes fizike të futbollistëve. Pas Lautaro Martinezit, në listën e të dëmtuarve është shtuar edhe mbrojtësi Benjamin Pavard.

Klubi zikaltër ka njoftuar se ekzaminimet mjekësore kanë zbuluar një problem në muskujt aduktorë të kofshës së djathtë të futbollistit francez.

Pavard pritet të mungojë për rreth 20 ditë, me synimin që të rikuperohet në kohë për përballjen ndaj Comos, e cila zhvillohet më 8 nëntor, para pauzës për ndeshjet e kombëtareve.

Mungesa e tij përbën një problem shtesë për trajnerin e Interit, Cristian Chivu, i cili do të ketë më pak mundësi për rotacion në formacion.

Përballë Bolognës, Pavard ishte parashikuar të luante nga minuta e parë, por dëmtimi pritet t’i ndryshojë planet e trajnerit rumun.

Në këto rrethana, treshja mbrojtëse e Interit pritet të përbëhet nga Yann Bisseck, Manuel Akanji dhe Alessandro Bastoni, me Carlos Augusto si një tjetër alternativë për repartin defensiv. /IndeksOnline/