Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka kërkuar aleatëve evropianë edhe 70 miliardë euro shtesë për të përballuar shpenzimet e luftës kundër Rusisë, duke paralajmëruar se kostoja e konfliktit pritet të arrijë në 155 miliardë euro vitin e ardhshëm.
Kërkesën, Zelensky e bëri gjatë samitit të liderëve evropianë në Bruksel, ku iu drejtua krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, duke theksuar se mbështetja financiare shtesë është e domosdoshme për ta përballuar luftën.
“Lufta do të kushtojë 155 miliardë euro vitin e ardhshëm. Dhe na duhen të paktën 70 miliardë euro më shumë nga ju”, tha ai para udhëheqësve evropianë.
“Është një shumë realiste. Dhe ju kërkoj ta gjeni atë mbështetje. Do të na ndihmojë të përmbajmë Rusinë”, këmbënguli presidenti ukrainas në një fjalim që e publikoi në platformën X.
Ndërkohë, liderët evropianë kanë pranuar se mbështetja ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën është siguruar për vitin 2026, por financimi për vitin 2027 është mbuluar vetëm pjesërisht.
Bashkimi Evropian ka miratuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për periudhën 2026-2027, që nënkupton rreth 45 miliardë euro për secilin vit. Megjithatë, kjo shumë vlerësohet të mos jetë e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e Ukrainës, ndërsa vendet evropiane po shqyrtojnë mundësi të tjera për të financuar përpjekjet e saj të luftës.
Nevojën për mbështetje afatgjatë e ka theksuar edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, i cili të enjten, para nisjes së samitit të BE-së, bëri thirrje për rritjen e fondeve për Ukrainën.
“Ne duhet të rrisim përsëri fondet në mënyrë që të mund ta mbështesim vërtet Ukrainën në planin afatgjatë”, tha Merz.
