Zëdhënësi i aktores Selma Blair ka reaguar pas arrestimit të saj, duke mohuar raportimet se ajo tentoi të hapte dyert e avionit gjatë një fluturimi. Ai thekson se incidenti ishte pasojë e një krize shëndetësore.

Në një deklaratë për revistën People, zëdhënësi sqaroi se informacioni i publikuar deri tani mbështetet kryesisht në raportin e policisë dhe në shkrime të vjetra dhjetëvjeçare. Ai theksoi nevojën për të korrigjuar disa pretendime që, sipas tij, po shfaqen si fakte. “Selma nuk është përpjekur të hapë dyert e avionit dhe as nuk ka pasur qëllim të lëndojë askënd,” deklaroi zëdhënësi.

Kujtojmë se Blair u arrestua pas incidentit në një fluturim të Delta Airlines drejt New Yorkut. Sipas raportit të policisë, ajo dyshohet se ka kafshuar dhe goditur një pjesëtare të ekuipazhit, si dhe ka tentuar të hapë dyert e avionit. Përveç këtyre, aktorja është akuzuar edhe për sulm ndaj një polici dhe një infermiereje, ndonëse është deklaruar e pafajshme për të gjitha pikat e akuzës.

Zëdhënësi reagoi gjithashtu ndaj komenteve që vënë në dyshim diagnozën e aktores me sklerozë të shumëfishtë (MS), një sëmundje me të cilën ajo është diagnostikuar publikisht që nga viti 2018. Ai sqaroi se Blair vuan edhe nga afekti pseudobulbar (PBA), një gjendje neurologjike që shkakton reagime emocionale të papritura dhe të pakontrollueshme, si të qeshura apo të qara. Kjo gjendje, sipas tij, ndikon në mënyrën se si të tjerët i perceptojnë episodet e saj shëndetësore. Ai shtoi se aktorja udhëton me një qen ndihmës pikërisht për këtë arsye, por autoritetet ia kishin marrë atë.

Në përfundim, zëdhënësi i bëri thirrje publikut të mos nxjerrë përfundime të parakohshme, duke theksuar se historia ka shumë më tepër anë sesa ato që janë publikuar deri më tani.