**Ramadani: Takimi i zyrtarëve rusë me Daçiqin në Beograd, kërcënim direkt për Kosovën**
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka publikuar një video nga takimi i Ivica Daçiqit me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, duke theksuar se deklarata e tyre përbën një kërcënim të hapur për Kosovën.
Përmes një postimi në platformën Facebook, Ramadani shkruan se Kosova dhe miqtë e saj ndërkombëtarë duhet të reagojnë ashpër ndaj këtij zhvillimi.
Ai thekson se ky akt është një “kërcënim direkt nga Kremlini dhe Daçiqi”. Ramadani citon Zaharovën, e cila gjatë takimit ka deklaruar: “Dua t’ju them atë që ma thonë shumë miq serb: Kosova është Serbi!”.
Deputeti gjithashtu kujton se Ivica Daçiq, aktualisht ministër i Jashtëm i Serbisë, ka qenë zëdhënës i Slobodan Millosheviqit.
Sipas tij, Kosova dhe të gjithë aleatët e saj duhet të reagojnë me vendosmëri, pasi “kjo nuk është shaka, është kërcënim i hapur”.
