**Daçiq në Moskë për vota, i dhuron Lavrovit set shahu dhe e cilëson mjeshtër të diplomacisë**
Në kuadër të fushatës elektorale dhe në prag të zgjedhjeve në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor, kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, vizitoi Moskën me synimin për të siguruar më shumë vota.
Gjatë kësaj vizite, ai u takua me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke shprehur vlerësim të lartë për diplomacinë e këtij të fundit.
Daçiq shkroi në rrjetet sociale, bashkë me një video të takimit: “Miku im i vjetër, Sergei Lavrov, i cili ka qenë gjithmonë pranë Serbisë dhe meje për dekada, dhe që u kujdes për shëndetin tim kur isha në spital, më uroi sot shumë sukses në zgjedhjet e ardhshme. I dhurova një set shahu me figura nga mitologjia sllave, si simbol i aftësisë së tij për t’i bërë shah-mat diplomacisë botërore. Faleminderit për gjithçka.”
Lidhur me vizitën e Daçiqit në Rusi, i cili aktualisht mban postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Brendshëm në qeverinë serbe, lëshoi një komunikatë edhe Ministria e Jashtme ruse.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, palët diskutuan edhe çështjen e Kosovës. Komunikata ruse detajon: “Palët diskutuan gjendjen aktuale të bashkëpunimit ruso-serb dhe perspektivat e tij të ardhshme në fushat kryesore. Lidhur me çështjet ndërkombëtare, theks i veçantë iu kushtua situatës në Ballkan. Ministrat nënvizuan rëndësinë themelore të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si dhe interesin e tyre të përbashkët për ruajtjen e stabilitetit në rajon.”
