Deutsche Bahn, hekurudhat gjermane, ka zgjeruar ndalimin e konsumimit të alkoolit në të gjitha 5.700 stacionet e saj në Gjermani. Kjo masë, e cila hyn në fuqi nga data 15 tetor, synon të rrisë sigurinë, të zvogëlojë konfliktet dhe të sigurojë një mjedis më të pastër dhe më të këndshëm për udhëtarët dhe punonjësit.
Rregullorja e re bëhet pjesë e rregullave të brendshme të kompanisë, duke mbuluar kështu të gjitha stacionet e menaxhuara nga Deutsche Bahn në territorin gjerman.
Ndalimi i alkoolit nuk është një risi absolute; ai ishte zbatuar më herët në disa nga stacionet kryesore, si ato qendrore në Këln, Heidelberg, Mynih dhe Hamburg. Më 1 shtator, masa u shtri edhe në stacionin kryesor të Berlinit, Berlin Gesundbrunnen, si dhe në stacionet qendrore të Kielit dhe Braunschweigut.
Sipas Deutsche Bahn, përvojat nga stacionet ku ndalimi ishte tashmë në fuqi, kanë qenë jashtëzakonisht pozitive. Kompania raporton një ulje të mbeturinave, më pak konflikte dhe një atmosferë më të qetë e miqësore. Me shtrirjen e plotë të këtij rregulli, Deutsche Bahn kërkon të përmirësojë ndjeshëm kushtet në hapësirat e saj, të cilat përdoren çdo ditë nga miliona udhëtarë në Gjermani.
