Papa Leo XIV ka bërë paraqitjen e tij të parë publike që nga operacioni për kancerin e mushkërive, duke drejtuar lutjen e së dielës para mijëra besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë kësaj paraqitjeje, ai shprehu se kjo përvojë shëndetësore e ka afruar më shumë me të gjithë ata që vuajnë. Vetëm një javë më parë, nga Vatikani, Papa kishte njoftuar se i duhej një ndërhyrje kirurgjikale.

Papa 71-vjeçar drejtoi lutjen e së dielës, “Angelus”, nga ballkoni i Pallatit Apostolik, me pamje nga Sheshi i Shën Pjetrit. Mijëra njerëz ishin mbledhur aty për ta duartrokitur, kënduar dhe dëgjuar mesazhin e tij, raporton CNN.

Papa falënderoi mjekët për trajtimin dhe të gjithë ata që ishin lutur për të, duke theksuar se po u rikthehet gradualisht detyrave të tij papnore. “Kjo përvojë më ka dhënë një ndjenjë të thellë afërsie me të gjithë ata që po përballen me sëmundje apo me një gjendje dobësie shëndetësore,” u tha ai turmave. “Tani që kjo fazë delikate ka kaluar, do t’u rikthehem gradualisht veprimtarive të mia – gjithmonë me ndihmën e Zotit dhe lutjet tuaja. Ju falënderoj edhe një herë,” shtoi ai.

Papa ishte liruar të shtunën nga spitali Gemelli, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri për heqjen e një mase, e cila më vonë u diagnostikua si adenokarcinomë, forma më e zakonshme e kancerit të mushkërive. Mjekët kanë konfirmuar se ai është rikuperuar mirë pas operacionit, madje duke deklaruar se ai mund ta realizojë udhëtimin e planifikuar në Amerikën Latine, i cili pritet të zhvillohet nga 6 deri më 17 nëntor.