Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM) ka reaguar ashpër pas bllokimit të një ambulance nga disa protestues gjatë demonstratës së fundit në Tiranë. Sipas QKUM-së, pengimi i lëvizjes së mjeteve të urgjencës rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, QKUM thekson se ambulancat janë në shërbim të çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë urgjente, pa asnjë dallim, dhe se çdo vonesë e shkaktuar nga pengimi i tyre mund të ketë pasoja fatale.

QKUM bën të ditur se ekipet e Urgjencës Mjekësore janë në gatishmëri të plotë gjatë protestave për t’iu përgjigjur çdo rasti që kërkon ndërhyrje, teksa njëkohësisht menaxhojnë edhe fluksin e përditshëm të urgjencave mjekësore.

Në Tiranë, përveç rreth 250-280 vizitave dhe ndërhyrjeve ditore, gjatë ditëve të protestave janë regjistruar rreth 100 raste shtesë. Në nivel kombëtar, Urgjenca Mjekësore përballon rreth 500 vizita çdo ditë.

QKUM nënvizon se çdo pengim i lëvizjes së ambulancave, çdo vonesë apo cenim i personelit dhe pajisjeve mjekësore vështirëson ofrimin në kohë të ndihmës për personat në rrezik.

Për këtë arsye, QKUM u bën apel qytetarëve dhe protestuesve të tregojnë respekt maksimal ndaj ambulancave dhe personelit mjekësor, duke mos penguar lëvizjen e tyre dhe duke garantuar përmbushjen e misionit jetëshpëtues në çdo rrethanë.

Gjithashtu, theksohet se çdo pretendim për përdorimin e ambulancave jashtë misionit të tyre duhet të trajtohet mbi bazën e fakteve dhe të verifikohet nga institucionet përgjegjëse.

QKUM përmbyll deklaratën me mesazhin: “Ambulancat janë në shërbim të jetës dhe shëndetit publik. Pengimi i tyre rrezikon drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, pasi çdo vonesë mund të jetë fatale.”