Është konfirmuar përdorimi i plumbave të gomës nga policia shqiptare gjatë protestave të ditëve të fundit, ku përveç protestuesve, u goditën edhe dy gazetarë të agjencisë “Reuters”. Kjo agjenci ka vijuar të raportojë për tensionet e krijuara në Shqipëri pas përplasjeve mes forcave të rendit dhe demonstruesve.
“Reuters” bëri me dije se gjatë ditës së pestë të protestave masive studentore, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, policia ka qëlluar me plumba gome drejt protestuesve. Pamjet filmike të siguruara nga agjencia tregojnë policë duke qëlluar me armë të gjata drejt turmës jashtë Ministrisë së Arsimit. Gazetarët e “Reuters” gjetën në tokë saçme gome, ndërsa konfirmuan se predhat kishin goditur dy gazetarë të agjencisë dhe disa protestues, duke lënë shenja në trupat e tyre.
Ky incident shënon një përshkallëzim të përplasjeve mes policisë dhe protestuesve, të cilat ditët e fundit kanë përfshirë qendrën e Tiranës. Demonstruesit u kanë vënë zjarrin ndërtesave qeveritare dhe bankave, si dhe kanë hedhur gurë në drejtim të policisë, e cila është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Kreu i Policisë së Shqipërisë, Skënder Hita, nuk e mohoi përdorimin e plumbave të gomës gjatë një konference për shtyp të shtunën. Ai deklaroi: “Të gjitha mjetet që janë përdorur, janë përdorur në mënyrë të kufizuar, përfshirë edhe ato të përdorura së fundmi”. Hita theksoi gjithashtu se shtatë zyrtarë policorë janë pezulluar dhe po përballen me hetime disiplinore për “tejkalim të kompetencave” dhe “mosrespektim të parimit të proporcionalitetit” gjatë trajtimit të protestuesve, pa specifikuar incidentet konkrete.
Protestat janë nxitur nga zemërimi për korrupsionin e perceptuar qeveritar, mungesa e vendeve të punës dhe standardet e dobëta të arsimit. Ato kanë marrë mbështetjen edhe të qytetarëve që u ndien të shpërfillur gjatë një vere me protesta kryesisht paqësore kundër një projekti luksoz bregdetar, të mbështetur nga dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.
Këto trazira shënojnë sfidën më të madhe deri më tani për kryeministrin Rama, i cili vitin e kaluar fitoi mandatin e katërt në krye të qeverisë. “Kanë kaluar 13 vjet me korrupsion dhe 13 vjet pa bërë asgjë, me premtime boshe. Prandaj, kupa është mbushur dhe ne jemi këtu për të drejtat tona,” tha të shtunën Juri Taullahu, një student 22-vjeçar i mjekësisë.
Policia dhe qeveria dënuan trazirat, duke bërë thirrje për qetësi. Hita njoftoi se 1,067 persona janë arrestuar dhe 388 janë ndjekur penalisht. Dhjetëra policë dhe protestues kanë mbetur të lënduar nga përleshjet.
