Frakturë në nofull: Portieri i Chelseat, Emiliano Martinez, do t’i nënshtrohet operacionit pas lëndimit kundër Evertonit

Portieri i Chelseat, Emiliano Martinez, ka pësuar një frakturë në nofull dhe do t’i nënshtrohet një operacioni, pasi u lëndua rëndë gjatë ndeshjes së xhiros së shtatë të Premier Ligës kundër Evertonit.

Ndeshja u fitua nga skuadra londineze me rezultat 2-0.

Incidenti ndodhi kur Martinezi, në një duel për topin, u përplas me një lojtar të Evertonit.

Menjëherë pas përplasjes, mjekët hynë në fushë për t’i dhënë ndihmën e parë portierit argjentinas, duke i vendosur edhe një maskë oksigjeni. Martinez u largua nga fusha me barelë.

Sipas gazetarit Gaston Edul, i cili postoi në rrjetin social “X”, Martinez aktualisht ndodhet në spital dhe është i vetëdijshëm. Ekzaminimet fillestare, përfshirë skanerin e kokës dhe kontrollet e shpinës e qafës, nuk zbuluan ndonjë anomali tjetër serioze.

Megjithatë, mjekët konfirmuan frakturën në nofullën e portierit, gjë që e bën të domosdoshëm qëndrimin e tij në spital dhe operacionin.

Martinezi iu bashkua Chelseat nga Aston Villa verën e kaluar. Deri më tani, ai ka zhvilluar gjashtë paraqitje për klubin londinez, duke pësuar 11 gola dhe duke e mbajtur portën të paprekur në një ndeshje.