Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se dialogu është një domosdoshmëri, por ka ngritur pikëpyetje thelbësore lidhur me palën me të cilën duhet të zhvillohet ky dialog. Ai theksoi se protestat aktuale nuk përfaqësojnë një lëvizje studentore të mirëfilltë, si ajo e vitit 2018.

Gjatë një komunikimi drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama u shpreh se protestat janë shndërruar në një kurth për Shqipërinë, të nxitura nga grupe të ekstremizuara dhe aktorë që synojnë destabilizimin e vendit.

“Unë nuk kam tallur askënd, unë kam treguar me gisht ata që janë edhe sot pjesë e kësaj situate, jo për ta bërë Shqipërinë më të mirë, por janë aty për ta kthyer Shqipërinë përmbys, qoftë për llogari të Partisë Demokratike, qoftë për llogari të Republikës Khomeiniste të Iranit. Kjo është e vërteta. Duhet dialog, patjetër, ky është thelbi, por me kë? Me studentët?”, deklaroi Rama.

Duke bërë një krahasim me të shkuarën, ai shtoi: “Po i kthehem vitit 2018. Ajo ishte lëvizje studentore, por kjo nuk është një kurth jo për mua, por për Shqipërinë, ku njerëz të paguar, të ekstremizuar, të reja e të rinj, idealistë që janë pre e një ideologjie, e një marrëzie të ashtuquajtur Antifa, kanë marrë peng të tjerët.”

Në përgjigje të pretendimeve të studentëve se nuk janë dëgjuar nga qeveria, kryeministri pohoi se ka dëgjuar vazhdimisht thirrjet e tyre për dorëheqjen dhe burgosjen e tij, por nuk janë paraqitur kërkesa konkrete me arsyet pse ai duhet të largohet nga detyra.

“Ju kam dëgjuar çdo ditë, sepse keni ardhur poshtë dritares sime. Ju kam dëgjuar ‘o në burg, o në litar’, ‘burg, burg, jep dorëheqjen’. Nuk kam dëgjuar kërkesa. Keni ardhur aty 140 ditë dhe asnjëherë nuk keni trokitur te dera për të më thënë me njerëzillëk, sy më sy, pse duhet të ikësh”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se çdo kërkesë për largimin e tij duhet të shoqërohet me arsye të argumentuara dhe dialog.

“Ti do që unë të iki, kjo është gjëja më normale në botë, por si do të iki unë? Të paktën hajde më bind pse duhet të iki unë ose të bind unë pse s’duhet të iki unë”, deklaroi kryeministri.

Rama shtoi se qeveria ka reflektuar mbi shqetësimet e ngritura dhe se disa prej mësimeve të nxjerra po zbatohen gradualisht.

Ai iu referua edhe platformës “Flamingo Mirror”, duke pretenduar se publikimi online i informacionit ka ndihmuar në rrëzimin e disa konspiracioneve.

“Unë e kam dëgjuar me shumë kujdes, por ne kemi dalë nga faza e parë e masivitetit të ‘flamingove’ me mësime që po i vëmë në jetë një e nga një. Nuk e dëgjoj më Zvërnecin, sepse e gjithë e vërteta është online tani, transparente. Të gjitha konspiracionet kanë rënë, sepse janë aty te Flamingo Mirror”, përfundoi Rama.