Ish-kampioni i botës në shah, Garry Kasparov, ka deklaruar se bisedimet për paqe me presidentin rus, Vladimir Putin, janë të kota. Sipas tij, lufta është “baza ideologjike” e pushtetit të Putinit dhe lideri i Kremlinit nuk synon t’i japë fund konfliktit kundër Ukrainës.

Gjatë një interviste për Shërbimin Rus të Radios Evropa e Lirë (REL), Kasparov theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të përqendrohet në mbështetjen e Ukrainës për të fituar luftën. Kjo, sipas tij, do të hapte rrugën për rënien e Putinit dhe krijimin e një mundësie për demokraci në Rusi.

“Bisedimet kanë kuptim vetëm nëse ekziston mundësia e zgjidhjes së një problemi përmes lëshimeve të ndërsjella. Planet e Putinit nuk kanë ndryshuar. Ai ka si synim shkatërrimin e Ukrainës si shtet të pavarur dhe nuk ka hequr dorë nga ky qëllim,” citohet Kasparov.

**Në mbështetje të Ukrainës**

Pas largimit nga bota e shahut, Kasparov u bë një figurë e njohur e opozitës ruse, duke u larguar në mërgim në vitin 2013. Ai jeton në Shtetet e Bashkuara, ku drejton Forumin për Rusinë e Lirë, themeluar prej tij në vitin 2016. Së fundmi, Kasparov ka deklaruar se autoritetet amerikane e kanë paralajmëruar për një komplot vrasjeje nga Kremlini.

Nga Varshava, më 11 tetor, Kasparov i tha REL-it se forcat politike ruse në mërgim duhet të përqendrohen plotësisht në mbështetjen e Ukrainës për fitoren e luftës. Për këtë objektiv, organizata që ai drejton ka grumbulluar rreth 15 milionë dollarë për projekte të ndryshme në Ukrainë.

“Ne kemi kontakte të drejtpërdrejta me Legjionin e Rusisë së Lirë dhe Korpusin Vullnetar Rus (RDK),” theksoi ai, duke iu referuar dy grupeve të armatosura ruse që luftojnë në krah të Ukrainës. “Ne mbledhim fonde për këtë qëllim.”

Kasparov theksoi edhe punën e tij lobuese në Kongresin amerikan, në mbështetje të kauzave ukrainase. Ai pohoi se në një rast, grupi i tij kishte bindur 15 republikanë të ndryshonin votën e tyre, një pretendim ky i paverifikuar në mënyrë të pavarur.

Përveç kundërshtimit të Putinit, Kasparov njihet edhe për kritikat e tij të vazhdueshme ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë përpjekjet e Trumpit për të krijuar marrëdhënie më të ngushta me Putinin. Kasparov kritikoi ashpër marrëveshjen e njoftuar së fundmi nga Trump për blerjen e naftës dizel nga Rusia.

“Ai vazhdon të veprojë në interes të Putinit. Deklaratat e tij të fundit përbëjnë shkeljen më flagrante të ligjeve amerikane, përfshirë legjislacionin për sanksionet, të cilin vetë Trumpi e ka nënshkruar,” tha Kasparov.

“Përpjekja e Trumpit për t’i bërë presion Ukrainës më duket e lidhur me pozitën e tij të dëshpëruar, tri javë para zgjedhjeve afatmesme.”

Trump ka argumentuar se marrëveshja për blerjen e naftës dizel ruse do të kontribuojë në lehtësimin e situatës në tregjet amerikane dhe ndërkombëtare. Ai ka përmendur mungesën e naftës dizel, të shkaktuar nga konflikti me Iranin dhe e përkeqësuar nga sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse, si shkaktar të rritjes së çmimeve.

“Ulja e çmimeve për amerikanët, veçanërisht për fermerët tanë të mëdhenj, blegtorët dhe shoferët e kamionëve, është prioriteti im më i madh,” shkroi Trumpi në rrjetet sociale më 9 tetor.

Marrëveshja për naftën dizel është kundërshtuar nga të dyja partitë në Kongresin amerikan.

Demokratët dhe ish-zyrtarët kanë sjellë në vëmendje edhe ligjin e vitit 2022, që i jep fund importit të naftës ruse. Ky ligj ndalon importin e naftës ruse në Shtetet e Bashkuara, përveç nëse presidenti vërteton se Rusia ka përmbushur kushte specifike, si tërheqja nga Ukraina, njohja e sovranitetit ukrainas dhe mosparaqitja e kërcënimit ndaj NATO-s.

**Synimi për rrëzimin e Putinit**

Kasparov iu bashkua shqetësimeve të shprehura së fundmi nga zyrtarë të lartë të vendeve evropiane anëtare të NATO-s, se Rusia mund të jetë duke përgatitur një formë përshkallëzimi të agresionit kundër aleancës.

Këto shqetësime vijnë në një kohë kur, sipas vlerësimeve, Rusia po zhvillon një fushatë hibride ose një “luftë në hije”, e cila përfshin depërtime dronësh në hapësirat ajrore të vendeve të tjera, sabotime dhe përpjekje për atentate.

Kremlini ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në incidentet për të cilat zyrtarët perëndimorë e kanë fajësuar.

Kasparov pohoi gjithashtu se Putini është plotësisht i vendosur të vazhdojë luftën kundër Ukrainës, duke e përshkruar atë si “bazën ideologjike të pushtetit të Putinit”. Kjo, sipas tij, pasqyrohet në përmasat e buxhetit ushtarak rus dhe në propagandën zyrtare.

“Ose Ukraina do të thyhet nga sulmet kundër popullsisë së saj civile, ose do të qëndrojë e fortë dhe, në atë rast, regjimi [rus] do të shembet,” tha ai.

“Kjo nuk do të thotë se nesër gjithçka do të jetë mirë në Rusi. Por rënia e një regjimi gjithmonë krijon një dritare mundësie.”

Kasparov shtoi se lufta i ka dhënë “gjak të freskët” strukturës së pushtetit të Putinit. Si shembull, ai përmendi hyrjen e fundit të veteranëve të luftës në Dumën Shtetërore, dhomën e ulët të Parlamentit rus.

Sipas tij, qindra ose mijëra veteranë të tjerë mund të jenë përfshirë në degë të tjera të hierarkisë shtetërore.

Megjithatë, sondazhet e opinionit të këtij viti kanë treguar rënie të mbështetjes për Putinin. Kjo vjen ndërsa lufta vazhdon, numri i të vrarëve rritet dhe Ukraina shton sulmet ndaj rafinerive të naftës, depove dhe qendrave të të dhënave në Rusi, duke ndikuar kështu edhe në jetën e përditshme të qytetarëve rusë.

Kasparov theksoi se humbja e Rusisë në Ukrainë do të ndryshonte rrënjësisht atmosferën në shoqërinë ruse.

“Madje, besoj se shumica dërrmuese [e rusëve] mund të jetë e gatshme ta pranojë demokracinë dhe sundimin e ligjit,” tha Kasparov.

“Më duket se dështimi në luftë do t’i detyrojë njerëzit, në mënyrë të pashmangshme, të mendojnë për alternativa më të mira.” /REL